Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka ngritur pikëpyetje për pranimin e dokumenteve dhe provave të dorëzuara nga institucionet serbe në proceset gjyqësore në Hagë.
Në emisionin “Politiko” në Kanal10, Limaj ka thënë se dokumentet e ardhura nga Ministria e Drejtësisë, Qeveria dhe Policia e Serbisë nuk do të duhej të pranoheshin si prova, duke e cilësuar regjimin e atëhershëm serb si kriminal dhe të përfshirë në fabrikimin e provave dhe fshehjen e krimeve.
Për ta argumentuar këtë, Limaj ka përmendur dy raste të zhvarrosjes së viktimave shqiptare nga forcat dhe aparati shtetëror serb, me qëllim të fshehjes së gjurmëve të krimeve të kryera në Kosovë.
Ai ka rikujtuar rastin kur trupat e viktimave u transportuan me kamionë frigoriferikë dhe u hodhën në lumin Danub, si dhe rastin e varrezave masive në Batajnicë, në oborrin e një institucioni policor në Beograd.
“Si mund të pranohen si prova dokumentet nga një regjim i tillë? Jo vetëm që fabrikon prova, por është tërësisht i involvuar në krim, në fshehjen e krimit dhe në prodhimin e provave të reja. Kjo gjykatë krejt i ka pranuar ato që kanë ardhur nga regjimi i viteve 1998-1999, nga ai regjim kriminal”, ka deklaruar Limaj.
Ai ka theksuar se, sipas tij, duhet të ekzistojë një standard i gjerë dhe i rreptë i vlerësimit të provave para se ato të arrijnë në tryezën e gjyqtarëve dhe të pranohen nga Gjykata Speciale në Hagë.






