Liga Premier ka lëshuar një komunikatë zyrtare duke sqaruar vendimin e VAR-it për t’i dhuruar një penallti West Hamit në fitoren me rezultat 2-1 ndaj Manchester United.
Jarrod Bowen u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutën e 92-të për t’i dhuruar West Hamit fitoren e tretë në Ligën Premier këtë sezon.
Me këtë fitore të besuarit e Julen Lopeteguit kanë lëvizur në pozitën e 12-të në renditje duke lënë pas vetes Unitedin.
Gjyqtari David Coote fillimisht vendosi që të mos akordojë penallti për West Hamin pasi Danny Ings u rrëzua në fushë shkaku i një ndërhyrje nga De Ligt.
Sidoqoftë, VAR e rishikoi këtë situatë dhe ia rekomandoi gjyqtarit Coote që të anulojë vendimin që kishte marrë në fushë.
Tani, Liga Premier përmes një postimi në rrjetin social X, ka dhënë arsyen pse u akordua penallti në atë rast.
“Gjyqtari nuk akordoi penallti për West Hamin për një ndërhyrje të De Ligt tek Ings. VAR vlerësoi se kishte kontakt të mjaftueshëm në këmbën e Ings dhe rekomandoi një rishikim të situatës”.
“Gjyqtari më pas e anuloi vendimin e tij origjinal dhe akordoi penallti”, thuhej në sqarimin e Ligës Premier.