Erling Haaland e nisi fushatën e tij në Ligën e Kampionëve në mënyrën e tij tipike.
Norvegjezi e udhëhoqi Manchester Cityn drejt një fitoreje të çmuar 2-0 në transfertë ndaj Portos të martën mbrëma, në “Estadio do Dragao”, në ndeshjen e parë të fazës së ligës.
Sulmuesi i Cityt zhbllokoi rezultatin në fillim të pjesës së dytë.
Në minutën e 47-të, ai u ngrit për të goditur me kokë një krosim të saktë nga afrimi i ri Enzo Fernández dhe e dërgoi fuqishëm topin në shtyllë, para se ai të përfundonte në rrjetë.
Goli i dytë erdhi në minutën e parë të kohës shtesë. Haaland përfitoi nga një pasim magjik i algjerianit Rayan Aït-Nouri brenda zonës dhe goditi një top të ulët, të cilin portieri nuk arriti ta ndalte.
Sipas specialistëve të statistikave të futbollit “Squawka”, ky gol e çoi norvegjezin në kuotën e 59 golave në historinë e Championsit, duke kaluar yllin gjerman Thomas Müller, i cili ka 57 gola, dhe duke u ngjitur në vendin e shtatë në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave në këtë kompeticion. Haaland e ka arritur këtë shifër në vetëm 59 ndeshje.
Një gol për ndeshje është një ritëm frikësues dhe kjo do të thotë se shtatë legjendat që kanë kaluar kuotën e 58 golave në Champions janë shumë prapa tij për sa i përket ndeshjeve të nevojshme për të arritur këtë shifër.
Lionel Messi, ndjekësi më i afërt i Haalandit, iu deshën 76 ndeshje për të arritur 58 gola. Robert Lewandowskit iu deshën 83 ndeshje, ndërsa Kylian Mbappés 89.
Legjendat e tjera janë edhe më prapa: Cristiano Ronaldos iu deshën 96 ndeshje, Karim Benzemas 108, ndërsa Raúl González arriti në këtë shifër pas 111 ndeshjesh.






