Kombëtarja e Kosovës synon të shfrytëzojë avantazhin e fushës vendase për të marrë tri pikët në përballjen ndaj Izraelit, e cila zhvillohet sot në orën 15:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të Ligës së Kombeve.
“Dardanët”, të udhëhequr nga përzgjedhësi Franco Foda, hyjnë në këtë sfidë me synimin për të regjistruar një fitore të rëndësishme dhe për të forcuar pozitën e tyre në Grupin B3.
Kosova do të kërkojë të përsërisë suksesin e nëntorit të vitit 2023, kur kishte mposhtur Izraelin në Prishtinë me rezultat 1:0.
Mbështetja e tifozëve në “Fadil Vokrri” pritet të jetë një shtysë shtesë për “Dardanët” të cilët synojnë ta shndërrojnë këtë përballje në një tjetër mbrëmje të suksesshme për futbollin kosovar.
Foda: Jemi gati, shpresojmë në rezultat pozitiv
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda ka folur në dje në një konferencë për medie para ndeshjes ndaj Izraelit në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Foda ka thënë se janë të gatshëm, ndonëse kanë mungesa.
“Jemi të gatshëm për ndeshjen ndaj Izraelit. Kemi punuar mirë dhe e kemi stërvitjen përfundimtare, do t’i stërvitim pjesët taktike. Kemi mungesa por kemi mjaftueshëm lojtarë në dispozicion. Ju besojmë atyre. Mund të ketë ndonjë befasi që mund të ftohet. Atmosfera është mjaftë e mirë, janë ndeshje të rëndësishme. Ka pasur intensitet në stërvitje dhe shpresojmë në rezultat pozitiv”, ka thënë Foda.






