Të shtunën në Skenderaj u zhvillua Turneu Memorial “Adem Jashari”, një ngjarje e rëndësishme në kalendarin e Federatës së Pingpongut të Kosovës.
Para fillimit të garave, delegacioni i FPPK-së bëri homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” për të nderuar figurën e heroit të kombit.
Pas këtij akti solemn, kryetari i FPPK-së, Jeton Oruçi, mbajti një fjalë rasti dhe shpalli zyrtarisht të hapur turneun.
Ky turne u karakterizua nga një konkurrencë e fortë, ku pingpongistët treguan nivel të lartë të lojës. Befasi solli Aron Koni, i cili fitoi ndaj Kreshnik Mahmutit, dhe Rrahman Ademaj që mposhti Sina Kayhanin.
Finalja e meshkujve ishte shumë e fortë. Aron Koni nga Shqipëria avancoi me 2:0 në sete, por Fatih Karabaxhak nuk u dorëzua, duke kthyer lojën dhe fituar me rezultat 3:2.
Edhe finalja e femrave ishte e baraspeshuar. Lenë Osmani avancoi me 2:0, ndërsa Leoresa Imeri barazoi në 2:2 dhe pati avantazh në setin e pestë.
Megjithatë, Lenë Osmani nuk u dorëzua dhe siguroi titullin e saj të tretë për këtë vit.
Renditja në kategorinë e femrave:
Lenë Osmani
Leoresa Imeri
Anisa Domaniku dhe Taibe Ruli
Renditja në kategorinë e meshkujve:
Fatih Karabaxhak
Aron Koni
Rrahman Ademaj dhe Kreshnik Mahmuti