Një punëtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), ka pësuar lëndime të rënda si pasojë e një aksidenti në punë në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit.
KEK-u ka njoftuar se pas incidentit janë lajmëruar Policia e Kosovës dhe ekipet e ndihmës së shpejtë, ndërsa njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmarrin veprimet e nevojshme.
“KEK-u konfirmon se sot, në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit, ka ndodhur një aksident i rëndë në punë, me ç’rast një punonjës ka pësuar lëndime të rënda”, thuhet në njoftim.
Korporata ka bërë të ditur se për shkak të veprimeve që janë duke u zhvilluar dhe nevojës për njoftimin e familjarëve, nuk mund të japë detaje të tjera për rastin.
KEK ka njoftuar se do të publikojë informacione të tjera pasi të konfirmohen plotësisht rrethanat e ngjarjes nga organet kompetente.






