eputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shkëmb Manaj, ka deklaruar se diskutimet për tejkalimin e ngërçit politik dhe konstituimin e institucioneve do të vazhdojnë, por ka theksuar se projekti i gazit amerikan mbetet një nga kushtet kyçe për avancimin e bisedimeve.
Manaj tha se takimi i zhvilluar deri më tani ka qenë vetëm hapi i parë drejt arritjes së një dakordimi më të gjerë.
“Do të vazhdojnë diskutimet për të zgjidhur ngërçin dhe për t’i konstituuar institucionet e Kosovës. Ne do të jemi në funksion të stabilitetit dhe funksionalizimit të shtetit. Është shumë e rëndësishme që vendit t’i sigurohet stabilitet institucional. Ky ka qenë vetëm takimi i parë”, u shpreh ai në ”Click” të RTV21.
Sipas Manajt, fillimisht palët duhet të dakordohen për çështjet themelore që kanë të bëjnë me drejtimin e vendit, politikën e jashtme dhe çështjet e brendshme.
Ai veçoi projektin e gazit amerikan si një nga temat më të rëndësishme të diskutimeve.
“Duhet të dakordohemi për çështjet e përgjithshme, që nënkuptojnë drejtimin e Kosovës, raportet e Kosovës me jashtë, por edhe çështjet e brendshme, duke përfshirë edhe çështjen e gazit amerikan, që është njëra prej temave kyçe. Pa këtë, LDK nuk mund të diskutojë më tutje”, deklaroi Manaj.






