Lidhja Demokratike e Kosovës e ka kundërshtuar Marrëveshjen e Ohrit në mes të Kosovës e Serbisë.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se ky ka qenë çmimi i një qeverie të tillë në dialog, ku shqetësimet më të mëdha për këtë parti janë pika dhe pjesa që thotë se duhet të harrohet e kaluara.
Zemaj është i mendimit se vetëmenaxhimi do të jetë problem për çdo pjesë të Kosovës ku ka qoftë edhe vetëm një serb dhe jo vetëm për komunat veriore.
“Problematika e vetëmenaxhimit lidhet tash me situatën në veri dhe për këtë arsye ne duhet të jemi vigjilentë atë që po tentohet të ndodhë sepse përmes vetëmenaxhimin do të bartet problematika jo vetëm në veri por në çdo pjesë të Kosovës ku ka qoftë edhe vetëm një serb. Vetëmenaxhimi del përtej komunave me shumicë ku është asociacioni, ku aty flet për komunitetin serb kudo që është dhe jo vetëm në komunat me shumicë serbe ku kjo e çon në nivel tjetër që të flitet për autonomi ose çdo formë tjetër me interferime të bashkësisë ndërkombëtare. Kundërshtimi do të jetë i ashpër kur t’i shohim dokumentet sepse nëse del ajo që në dokumentet. Ne po hyjmë në një rrugë pa kthim dhe të problemeve të mëdha që do të dalin në të ardhmen, sidomos me menaxhimin e këtyre objekteve fetare”, vlerëson deputeti i LDK-së.
Për mënyrën se si do ta kundërshtojnë këtë marrëveshje, Zemaj nuk përjashton as protestat, teksa shton se Qeveria e ka kthyer Kosovën në vitin 2013.
“Kundërshtimi do të jetë permanent, i guximshëm politik dhe i bazuar në Gjykatën Kushtetuese. Do të shohim forma se nëse ka një lëshim dhe nëse ka devijim do të përdorim të gjitha format demokratike, pa përjashtuar edhe protestat, nëse e kemi kryeneqësinë, paaftësinë ose pabesinë e kësaj qeverie. Sigurisht që kjo do të ndodhë sepse ja kemi borxh Kosovës, vite e vite pas dialogut ku ishte synimi që i gjithë procesi të përfundojë me njohje dhe të kalonim në një nivel tjetër të bashkëpunimit rajonal, kjo qeveri na ktheu aty ku ishte, në vitin 2013 dhe 2015”, deklaron ai.