Latif Gashi, ish-deputet i PDK-së, ka reaguar pas dëmtimit të Kompleksit Memorial Kompleksi Memorial Zahir Pajaziti, duke e cilësuar ngjarjen si një akt të turpshëm, të papranueshëm dhe çnjerëzor. Ai ka publikuar edhe fotografitë brenda objektit.
Ai ka thënë se sulmet ndaj memorialeve nuk janë vetëm dëmtime të objekteve fizike, por edhe sulme ndaj kujtesës historike, sakrificës së dëshmorëve dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar liria e Kosovës.
Sipas Gashit, mungesa e sigurisë, mirëmbajtjes dhe kujdesit institucional në komplekset memoriale ka krijuar kushte që ato të mbeten të pambrojtura dhe të degradohen.
Ai ka theksuar se institucionet shtetërore kanë detyrim ligjor, moral dhe kombëtar për ruajtjen e këtyre monumenteve, duke shtuar se respekti për dëshmorët duhet të dëshmohet përmes mbrojtjes dhe mirëmbajtjes së vazhdueshme të vendeve që përjetësojnë veprën e tyre. /Gazeta Express
Postimi i plotë:
Lënia në harresë e komplekseve memoriale nga institucionet shtetërore nuk është thjesht neglizhencë, por një alarm serioz për mënyrën se si po trajtohet kujtesa jonë historike.
Heqja e punëtorëve të sigurisë dhe të mirëmbajtjes, mungesa e ciceronëve dhe e kujdesit institucional në Kompleksin Memorial “Varrezat e Dëshmorëve” dhe Muzeun e Dëshmorëve në Penuhë, në Kompleksin Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan, si dhe në Kompleksin Memorial “Baza e Parë e UÇK-së” në Lladovc, ka krijuar kushte që këto vende të mbeten të pambrojtura dhe të degradohen dita-ditës.
Dëmtimi i Kompleksit Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan është një akt i turpshëm, i papranueshëm dhe çnjerëzor. Sulmi ndaj memorialeve nuk është vetëm sulm mbi gurët dhe objektet, por mbi kujtesën historike, mbi sakrificën e dëshmorëve dhe mbi vlerat mbi të cilat u ndërtua liria e Kosovës.
Përgjegjësia kryesore bie mbi institucionet shtetërore, të cilat kanë detyrim ligjor, moral dhe kombëtar të sigurojnë ruajtjen, mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e këtyre komplekseve. Këto nuk janë projekte të zakonshme; janë projekte kombëtare, monumente të historisë sonë dhe vende që duhet të edukojnë brezat e rinj me respekt për lirinë dhe sakrificën.
Ruajtja e komplekseve memoriale nuk është çështje politike, por detyrim shtetëror dhe kombëtar. Respekti për dëshmorët nuk dëshmohet vetëm me fjalë e ceremoni përkujtimore, por me përkushtim të vazhdueshëm për mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e vendeve që përjetësojnë veprën e tyre






