9.2 C
New York
Tuesday, October 15, 2024

Buy now

Largimi nga CEFTA, devijim i Kosovës nga orientimi Perëndimor?

- Advertisement -
Për njohësit e zhvillimeve politike në vend mosgatishmëria e Qeverisë së Kosovës për të bashkëpunuar me Gjermaninë për çështjen e CEFTA-s – Marrëveshja për Tregti të Lirë – mund të rezultojë me pasoja si ekonomike ashtu edhe politike për vendin.

Ish-diplomati kosovar, Blerim Canaj, vlerëson se Qeveria e Kosovës në këtë rast kryeministri, Albin Kurti, duhet të peshojë shumë mirë pasojat që mund të derivojnë nga ky moskonstruktivitet dhe të veprojë në të mirën e vendit.

Duke potencuar se edhe CEFTA njëjtë si Këshilli i Evropës është një paradhomë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Canaj konsideron se ekzekutivi në këtë rast duhet t’i ruaj marrëdhëniet me partnerët.

“CEFTA është një paradhomë e BE-së dhe largimi do të thoshte disa hapa prapa dhe me këtë disa vite shtesë më shumë në drejtim të BE-së. Kjo natyrisht do të krijonte edhe konfuzion për drejtimin dhe orientimin që merr Kosova, përkatësisht shtrohet pyetja se çfarë duam ne nëse vazhdimisht largohemi nga orientimi ynë perëndimor”, ka thënë ai për Albanian Post.

Ndërkohë Koordinatori për Financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, vlerëson se përjashtimi i mundshëm i Kosovës nga CEFTA do të nënkuptonte izolim “tregtar dhe ekonomik” të Kosovë, që do të shkaktonte jo pak pasoja.

“Rënie të eksporteve dhe të prodhimit, importe më të shtrenjta dhe rritje të mëtejme të çmimeve në Kosovë, dhe dekurajim total të investimeve, sepse askush nuk dëshiron të investojë në një ekonomi të izoluar”, shkroi ai në platformën sociale, Facebook.

Mustafa ka pyetur se në çfarë drejtimi po shkon Kosova, duke aluduar se me një qasje të tillë ajo po largohet nga vlerat euro-atlantike.

“Nga izolimi aktual, pa njohje, pa anëtarësime në organizata ndërkombëtare dhe nën sanksione të BE-së, po rrezikojmë të ecim drejt një izolimi edhe më të theksuar ekonomik e diplomatik”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër për Canajn, Kosova me CEFTA-n ka pasur përfitime të shumta, meqë produktet kosovare kanë arritur të plasohen në tregun perëndimor, gjë që ka ndikuar në ngritjen dhe vlerësimin e kualitetit të prodhimeve vendore.

“Natyrisht që kjo ka ndihmuar kompanitë kosovare dhe me këtë ka ndikuar në ekonominë e vendit. Largimi nga CEFTA do ia humbte pastaj kuptimin e Procesit të Berlinit e si pasojë mund të ketë largim edhe nga ky institucion”, shton Canaj për AP.

Kjo automatismkisht, sipas tij, nënkupton hapin e parë drejtë një izolimi.

“Kjo mund pastaj të ulë interesimin edhe të partnerëve tanë të cilët edhe ashtu si duket e kanë humbur durimin me ne për shkak të veprimeve fëmijërore të Qeverisë së Kosovës”, ka shtuar ai.

Çfarë po kërkon Gjermania?

Kosova po përballet me presione të mëdha ndërkombëtare dhe një ultimatum të rreptë nga Gjermania.

Albin Kurti, i cili dikur e shihte Gjermaninë si aleatin e tij kryesor, e ktheu të dërguarin e saj dy herë nga Kosova me duar bosh.

I deleguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin, javë më parë vizitoi Kosovën dy here brenda tetë ditëve, me synim për të bërë përgatitjet e duhura për Procesin e Berlinit dhe bashkëpunimin rajonal, për të cilat tema takoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Diplomati gjerman në dy këto takime insistoi që Kosova të pezullojë vendimin për ndalimin e futjes së mallrave serbe në Kosovë.

Sarrazin konfirmoi se në të dyja vizitat që ka zhvilluar në Kosovë ka marrë përgjigje negative nga Kurti në kërkesën për një kompromis në kuadër të CEFTA-së – Marrëveshja për Tregti të Lirë.

Qeveria e Kosovës e ka ndaluar importin e mallrave nga Serbia më 15 qershor të vitit të kaluar, një ditë pasi forcat serbe kishin arrestuar tre policë të Kosovës.

Në një intervistë së fundmi për Radio Televizionin e Kosovës, RTK, diplomati gjerman teksa potencoi se Kosova nuk mund t’i bllokojë shtetet e tjera të rajonit në këtë proces tha se “nuk do ta ftojmë Kosovën në mekanizimin e përkohshëm nëse nuk lëvizet në heqjen e masave tregtare”.

Sarrazin përmendi edhe pasojat me të cilat mund të përballet Kosova në rast se nuk vepron konform këshillave gjermane për CEFTA-n, duke përmendur se në Bruksel, disa njerëz po i thoshin se nëse Kosova e bllokon CEFTA-n, do të jetë shumë vështirë që t’i bashkëngjitet pastaj Planit të Rritjes të BE-së

“Nganjëherë është më mirë të nënshkruash marrëveshjen se sa të presësh më vonë, sepse mund të lëvizë edhe çmimi. Isha në Bruksel dhe disa njerëz po më thoshin se nëse Kosova bllokon CEFTA-n do të jetë shumë e vështirë që t’i bashkëngjitet pastaj Planit të Rritjes dhe qasjes në tregun e BE-së”.

Sipas tij me këtë qasje negative, me pasoja do të ballafaqohen qytetarët.

“Pra, thjesht mund ta bllokoni vetën, nuk mund t’i bllokoni të tjerët”, ka ripotencuar ai.

Çfarë ofroi Kosova?

Ndryshe nga Sarrazin, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Jeton Zulfaj, ka thënë se gjatë takimit Kurti – Sarrazin është gjetur një zgjidhje kompromisi mbi mundësinë e zhbllokimit të vendimit për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia në kuadër të CEFTA-së, por ka qenë Serbia ajo që e ka kushtëzuar këtë zgjidhje.

“Pas tre vjetësh bllokadë të Serbisë brenda CEFTA-s, ne kemi një zgjidhje kompromisi. Serbia tash e ka kushtëzuar këtë zgjidhje me heqjen e masave të sigurisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë. Këto dy çështje nuk kanë lidhje”, ka shkruar Zulfaj.

Masat e Kosovës, ka sqaruar më tej Zulfaj, nuk kanë të bëjnë me tregtinë, por rrjedhin “nga kërcënimet ndaj sigurisë sonë kombëtare, të zbatuara jo nga ministri ynë i tregtisë, por nga autoritetet tona të sigurisë”.

CEFTA dhe Kosova

Kosova është anëtare e CEFTA-s prej vitit 2007, por përfaqësohet përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Mu për këtë arsye Gjermania në këmbim të heqjes së pengesave kundrejt mallrave serbe, Kosovës i ka ofruar përfaqësimin me asterisk në CEFTA, e jo më nëpërmjet UNMIK-ut.

CEFTA ka për qëllim lehtësimin e shkëmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Shtetet tjera anëtare të CEFTA-s janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia.

Ditë më parë AP raportoi se Kosova nuk ka marrë ftesë për Samitin e Berlinit, një ngjarje kyçe që shënon 10 vjetorin e procesit.

Gjermania, me disiplinën dhe qartësinë që e karakterizon, ka vendosur një afat të prerë: deri më 13 tetor, Kosova duhet të provojë seriozitetin e saj në zbatimin e marrëveshjeve rajonale, që synojnë lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe integrimin e qëndrueshëm në Ballkan.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit