Paris Saint-Germain po ndien pasojat e transferimit të bujshëm të Bradley Barcolas te Liverpooli, por jo domosdoshmërisht në mënyrën që ishte parashikuar.
Kampionët francezë arkëtuan plot 145 milionë euro nga shitja e anësorit, por largimi i tij është shoqëruar me një rënie të ndjeshme të formës së Khvicha Kvaratskhelias.
Sipas “Football365”, mungesa e Barcolas ka ndryshuar ekuilibrat brenda repartit ofensiv të PSG-së dhe veçanërisht konkurrencën në krahun e majtë.
PSG tentoi ta mbulonte menjëherë largimin e Barcolas
Barcola u largua nga Parisi gjatë verës për t’iu bashkuar Liverpoolit në një marrëveshje me vlerë 145 milionë euro.
PSG reagoi shpejt, duke afruar talentin Mika Godts për të përforcuar krahun e majtë të sulmit.
Megjithatë, përshtatja pas largimit të francezit ka rezultuar më e komplikuar sesa pritej.
Dhe një prej lojtarëve që duket se ka ndier më shumë efektin është pikërisht Kvaratskhelia.

Kvaratskhelia pa gol në pesë ndeshjet e para
Statistikat e fillimit të sezonit 2026/27 paraqesin një kontrast të madh me sezonin e kaluar.
Në edicionin e mëparshëm, Kvaratskhelia shënoi tetë gola në Ligue 1 dhe realizoi edhe 10 herë gjatë fushatës evropiane të PSG-së.
Por këtë sezon situata ka ndryshuar ndjeshëm.
Në pesë paraqitjet e para në kampionat, për rreth 280 minuta lojë, reprezentuesi gjeorgjian nuk ka shënuar asnjë gol dhe ka regjistruar vetëm një asistim.
Edhe Luis Enrique nuk ka hezituar ta zëvendësojë para përfundimit të ndeshjeve.
Kvaratskhelia doli nga fusha pas 65 minutash kundër Brest dhe vetëm pas 58 minutash në “Le Classique” ndaj Marseille.
Barcola ishte rivali që e mbante nën presion
Një prej shpjegimeve për rënien e formës lidhet me ndryshimin e konkurrencës së brendshme.
Sezonin e kaluar, Luis Enrique kishte krijuar një rivalitet të fortë mes Kvaratskhelias dhe Barcolas për pozicionin në krahun e majtë.
Sa herë që Barcola futej në lojë, shpejtësia dhe lëvizjet e tij pas mbrojtjes kundërshtare e detyronin Kvaratskhelian të ruante intensitet maksimal për të mos humbur vendin në formacion.
Ky presion tashmë mungon.
Mika Godts, 21 vjeç, ka ardhur nga Ajax, por deri tani nuk ka krijuar të njëjtën konkurrencë.
Belgu ende nuk ka nisur asnjë ndeshje të Ligue 1 si titullar dhe nuk shihet ende si kërcënim i drejtpërdrejtë për pozicionin e Kvaratskhelias në ndeshjet më të rëndësishme.
Mungesa e konkurrencës specifike mund të ketë ndikuar
Kvaratskhelia ka pasur edhe më herët periudha me luhatje në formë, sidomos në varësi të rëndësisë së ndeshjeve.
Por rënia aktuale përkon pikërisht me largimin e rivalit të tij më të fortë për pozicionin.
Kjo nuk do të thotë se konkurrenca në sulmin e PSG-së është zhdukur.
Désiré Doué po vazhdon zhvillimin e tij, Ferran Torres mund të përdoret në krah, ndërsa Maghnes Akliouche i jep Luis Enriques edhe një tjetër mundësi në repartin ofensiv.
Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ka saktësisht profilin e Barcolas – një anësor jashtëzakonisht i shpejtë që konkurronte drejtpërdrejt me Kvaratskhelian në të njëjtin pozicion.

Enrique kërkon formulën për ta rikthyer në nivelin e sezonit të kaluar
Tani sfida për Luis Enrique është të gjejë një mënyrë për ta rikthyer Kvaratskhelian në formën që e bëri një prej lojtarëve më të rrezikshëm të PSG-së sezonin e kaluar.
Pushimi i kombëtareve mund t’i japë kohë Godts për të rritur ritmin dhe konkurrencën brenda skuadrës, ndërsa Enrique mund të eksperimentojë edhe me zgjidhje të reja taktike.
PSG fitoi financiarisht jashtëzakonisht shumë nga shitja e Barcolas, por ndikimi sportiv i largimit të tij mund të rezultojë më i madh sesa pritej.
Për Kvaratskhelian, rikthimi i konkurrencës së fortë për vendin në formacion mund të jetë pikërisht ajo që i duhet për të rifituar intensitetin dhe efikasitetin e sezonit të kaluar.






