Gruda pas vendimit të Kushtetueses: LVV nuk mund t’i zhvendosë afatet kushtetuese sipas interesit politik

- Advertisement -

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ky vendim, sipas tij, ka konfirmuar qëndrimet që PDK-ja i ka mbajtur gjatë kësaj periudhe.

Gruda ka renditur katër pika, duke theksuar se Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit kushtetues 30-ditor, ndërsa sipas tij, afati për zgjedhjen e Presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.

Ai ka deklaruar gjithashtu se nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së duhet të zgjidhet dhe kjo pozitë, sipas tij, nuk mund të anashkalohet.

“Tani kemi vetëm 13 ditë kohë për të vepruar: për t’i miratuar ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, për ta zgjedhur Presidentin e Republikës dhe për t’i shmangur zgjedhjet e reja”, ka shkruar Gruda.

Në fund, ai ka theksuar se afatet kushtetuese nuk mund të përshtaten sipas interesave politike.

Afatet kushtetuese nuk janë çështje vullneti politik dhe Kushtetuta nuk mund të përshtatet sipas interesave të momentit”, ka përfunduar Gruda.

Postimi i plotë i Grudes:

Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese ka vërtetuar qëndrimet që PDK-ja i ka mbajtur vazhdimisht gjatë gjithë kësaj kohe:

1. Kushtetuta është shkelur duke mos u konstituuar Kuvendi brenda afatit 30-ditor.

2. Afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor. Pra, LVV-ja nuk mund t’i zhvendosë afatet kushtetuese sipas interesit të saj politik dhe ta shtyjë vendin drejt zgjedhjeve më 27 dhjetor, siç ka synuar.

3. Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së duhet të zgjidhet. Kjo pozitë nuk mund të anashkalohet apo të mbetet peng i vullnetit të shumicës parlamentare.

4. Tani kemi vetëm 13 ditë kohë për të vepruar: për t’i miratuar ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, për ta zgjedhur Presidentin e Republikës dhe për t’i shmangur zgjedhjet e reja. Koha është e kufizuar dhe përgjegjësia tashmë është e qartë.

Vendimi i sotëm konfirmon një parim themelor: afatet kushtetuese nuk janë çështje vullneti politik dhe Kushtetuta nuk mund të përshtatet sipas interesave të momentit

Të ngjashme

Të fundit