Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, ka deklaruar se vendi ka humbur shumë nga mungesa e kompromisit politik, duke thënë se zgjedhjet e fundit kanë qenë të panevojshme.
Në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, ajo deklaroi se kompromisi politik do të jetë i domosdoshëm edhe pas zgjedhjeve, andaj sipas saj ai do të duhej të ishte arritur më herët.
“Shkuarja në zgjedhje tani ka qenë krejt e panevojshme, sepse kompromisi do të nevojitet edhe pas zgjedhjeve dhe do të duhej të ishte gjetur qysh vjet. Zgjedhjet e 28 shkurtit dhe tani të 7 qershorit kanë qenë të panevojshme dhe kjo për Kosovën do të thotë humbje e madhe”, tha Lama.
Ajo theksoi se kriza politike po ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit, në procesin e miratimit të ligjeve dhe në përfitimin e ndihmave nga Bashkimi Evropian.
“Në të gjitha aspektet është humbje për Kosovën. Pastaj mungesa e kompromisit po e dëmton Kosovën në mënyrë të pakthyeshme, po dëmton besimin e qytetarëve në institucione, dhe po dëmton edhe imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kosova po perceptohet si një shet jofunksional”, tha Lama.






