Kuvendi komunal i Prishtinës ka votuar dhënies së pronës për shfrytëzim tek lokacioni “Tulltorja”.
Me 31 vota pro, 13 kundër dhe asnjë abstenim, u votua propozim-vendimi për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës së palujtshme të komunës, lokacioni “Tulltorja”
Me 31 pro, 13 kundër me asnjë kundër
Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama në fjalimin e tij për këtë propozim-vendim tha se toka e kryeqytetit nuk po falet, por po jepet në shfrytëzim për zhvillim.
“Kjo tokë nuk falet, toka mbetet pronë e kryeqytetit! Jepet në shfrytëzim për t’u zhvilluar dhe për këtë shfrytëzim kryeqyteti përfiton 1 milion euro në vit, 50 vjet, mbi 50 milionë. Pas përfundimit të periudhës së shfrytëzimit, jo vetëm toka, por edhe aseti i ndërtuar në të mbetet i kryeqytetit, prandaj mos e dezinformoni qytetarin duke thënë se po falet toka, nuk po falet asnjë metër pronë komunale. Prishtina po zgjerohet kah Lipjani dhe Graçanica. Po i shtyjmë bizneset e kryeqytetit drejt komunave tjera. Ne duhet të zhvillojmë Prishtinën brenda Prishtinës. Tulltorja është një mundësi e tillë. Projekti e parasheh edhe parkingun nëntokësor. Nuk po vendosim për një parcelë, po vendosim se a do ta lëmë një pronë publike të pazhvilluar, të pasigurte, vend të problemeve, që pas andej varet prej 100 eurove që i shkepni ju apo do ta kthejmë në zhvillim, në të hyra, vende pune dhe aset për kryeqytetin tash dhe për gjeneratat e ardhshme.”, tha ndër të tjera Rama.
Kundër këtij propozim-vendimi doli Lëvizja Vetëvendosje. Shefi i asamblistëve të VV-së, Gëzim Sveçla tha se ky projekt e dëmton kryeqytetin.
“VV nuk e voton këtë propozim. VV e kundërshton këtë propozim. I bëjmë thirrje gjitha partive, ju lutem mos e votoni. Mos u bëni argat të interesave personale të një personi në përfundim të karrierës së tij, Përparim Ramës dhe mbështetësve donatorëve të tij, të fushatës. Mos e dëmtoni qytetarin e Prishtinës. Mos e votoni këtë kontratë, është e keqe për Prishtinën. Është e keqe për interesin e qytetarëve. Kjo kontratë i shërben vetëm Përparim Ramës.”, tha Sveçla.






