Kusari-Lilës nuk i pengon rasti i ARBK-së: Publikimi i të dhënave është obligim ligjor, jo diskrecion institucional

- Advertisement -

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar lidhur me debatin e krijuar për publikimin e dokumenteve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), duke theksuar se qasja në këto të dhëna bazohet në legjislacionin në fuqi.

Përmes një postimi, Kusari-Lila ka bërë të ditur se publikimi i të dhënave në Regjistrin e Bizneseve nuk është çështje e vendimmarrjes së institucionit, por detyrim i përcaktuar me ligj.

“Është e rëndësishme që debati publik të zhvillohet mbi bazën e fakteve dhe ligjit. Publikimi i të dhënave nga ARBK nuk është çështje diskrecioni institucional, por obligim ligjor i paraparë me nenin 22 të Ligjit për Shoqëritë Tregtare LIGJI Nr. 06/L-016.”

Ajo ka shtuar se nëse konsiderohet se mënyra aktuale e publikimit të të dhënave duhet të ndryshojë, kjo duhet të bëhet përmes ndryshimeve ligjore dhe jo përmes interpretimeve të ndryshme të dispozitave ekzistuese.

“Nëse vlerësohet se ky zbatim i ligjit duhet të ndryshojë, atëherë rruga është ndryshimi i ligjit, e jo interpretimi selektiv i dispozitave në fuqi.”

Reagimi i ministres në detyrë vjen pasi ditëve të fundit janë ngritur shqetësime lidhur me qasjen në dokumente të bizneseve në platformën e ARBK-së. Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Ermal Sadiku, kishte pretenduar se në sistem kanë qenë të qasshme edhe dokumente që përmbanin kopje të letërnjoftimeve dhe nënshkrime, ndërsa më pas edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës kërkoi ndërhyrje urgjente të institucioneve, duke paralajmëruar se publikimi i dokumenteve që përmbajnë të dhëna personale mund të cenojë privatësinë dhe konfidencialitetin e bizneseve.

Të ngjashme

Të fundit