Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj, thotë se shefi i qeverisë aktuale Albin Kurti, punon për interes të Serbisë.
Ai kështu u shpreh në emisionin “Rubikon”, kur po diskutonte heqjen e masave ndaj produkteve të Serbisë.
“Ashtu siç kam thënë ky nuk punon për Kosovën, pra ky punon për Serbinë. Serbia e fiton të drejtën për t’i shitur mallrat e veta në Kosovë, pa asnjë fitore për Kosovën”, u shpreh kreu i AAK-së.
Ai theksoi se Kurti ka mundur t’i mundësojë Kosovën të përfitojë kur kishte hequr taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe.
“Kurti bën lëshime pasi të bëhet dëmi për Kosovën, pa përfitim për Kosovën. Kur kam dhënë dorëheqje prej kryetarit të qeverisë ka ardhur Kurti, ai e ka gjetur taksën, ajo ka pasur shumë peshë. Ai ka mundur t’i nxjerrë diçka Kosovës, t’ia sjellë Kosovës një fitore me Bashkësinë Ndërkombëtare nëse e heq taksën çka përfiton Kosova, nuk bëri asgjë, e heqi në mënyrën më të turpshme”.
“Tani e ka hequr ndalesën për mallra serbe, për t’u kthyer aty ku kemi qenë, jo për të përfituar diçka të re. Jemi pjesë e CEFTA-s, e cila është një marrëdhënie e tregtisë së jashtme, dhe disa vendeve përeth. Kurti e heqi ndalesën pa i sjellur Kosovës ndonjë interes. Në rastin konkret sukses do të ishte sikurse neve të në hiqeshin sanksionet nga BE-ja, dhe të rikonfirmohet kandidatura jonë për Këshill të Evropës të paktën”.