Kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dalë me një propozim të ri për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), në një kohë kur kanë mbetur më pak se katër orë deri në përfundimin e afatit për zgjedhjen e presidentit.
Kurti ka propozuar që sonte të mbahet një seancë e Kuvendit me dy pika të rendit të ditës: fillimisht votimi në lexim të dytë i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe më pas zgjedhja e presidentit.
Sipas Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme ta votojë ligjin në lexim të dytë, nëse PDK-ja zotohet se do të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit.
Kurti ka përmendur edhe emrat e Glauk Konjufcës dhe Feride Rushitit si kandidatë të mundshëm për president, përveç Bekim Sejdiut.
“Dhe mandej një seancë e Kuvendit sonte me dy pika: e para ligji dhe e dyta të jetë për president. Edhe pas deklarimit të tij, ne e thërrasim seancën sonte dhe bëjmë votimin”, ka thënë Kurti.
Ai ka bërë thirrje që PDK-ja të deklarohet publikisht për pjesëmarrjen në votimin për president, duke lënë të hapur mundësinë që Kuvendi të mblidhet sonte dhe të zhvillojë të dy proceset e votimit.
Afati për zgjedhjen e presidentit po skadon sonte, ndërsa partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje përfundimtare.






