16.8 C
New York
Friday, May 17, 2024

Buy now

Kurti përkujtoi në seancë solemne të Kuvendit të Kosovës, Komandantin Ilaz Kodra dhe 315 dëshmorët dhe martirët e Drenicës në 25-vjetorin e rënies

- Advertisement -

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, organizuar në nderim dhe përkujtim të dëshmorit dhe komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodrës dhe 315 dëshmorëve e martirëve të rënë për lirinë e Kosovës, më 30 prill 1999, në Drenicë.

 

 

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

 

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,

Zëvendëskryeministre e ministra të Qeverisë së Kosovës,

Të nderuara familje të heronjve të Kosovës,

E nderuara familje Kodra,

E nderuara familje Bunjaku,

E nderuara familje Konushevci,

I nderuar Ambasador i Republikës së Shqipërisë,

Të nderuar diplomatë e miq ndërkombëtarë,

Të nderuara familje të dëshmorëve,

Invalidë e veteranë të Luftës Çlirimtarë,

Të nderuar udhëheqës e përfaqësues të institucioneve tona shtetërore,

Të dashur qytetarë të Kosovës,

Zonja dhe zotërinj,

 

Seancat e veçanta sikur kjo, jashtë punës dhe ecurisë së rregullt të Kuvendit të Kosovës, e freskojnë frymën që e ka krijuar Republikën tonë, e që janë dëshmorët e kombit dhe martirët e lirisë së Kosovës.

 

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, sot më 2 maj 2024, jemi mbledhur në Kuvendin e Kosovës që nga ky vend t’i përkujtojmë dhe nderojmë 315 dëshmorë dhe martirë të rënë për lirinë e Kosovës para 25 vitesh, më 30 prill të vitit 1999, në Drenicë. Për ta kujtuar luftëtarin e paepur të lirisë, Ilaz Kodrën, bashkëluftëtarin e Adem Jasharit dhe një nga të parët e grupeve të armatosura që i hodhën themelet mbi të cilat u ngrit Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

 

Po e kujtojmë sot, një ditë para ditëlindjes së tij kur ai do të bëhej 58 vjeç, meqë Ilaz Kodra kishte lindur më 3 maj 1966 në Prekaz. Ilaz Kodra u aktivizua politikisht qysh gjatë rinisë së tij të hershme, duke marrë pjesë në demonstratat popullore më 1981, 1988, 1989 dhe 1990, kundër shtypjes politike dhe diskriminimit të shqiptarëve nga pushteti i Serbisë nën Jugosllavi.

 

Në nëntor të vitit 1991, Ilaz Kodra së bashku me Fadil Kodrën, Adem Jasharin, Murat Jasharin dhe Sahit Jasharin, iu bashkuan grupit të dytë të vullnetarëve që u stërvitën ushtarakisht në Shqipëri nga oficerët e armatës shqiptare. Atë kohë, Ilazi ishte 25 vjeç. Pas kthimit të tyre në Prekaz, kur policia e Serbisë kreu sulmin e parë ndaj familjes së Shaban Jasharit në Prekaz, më 30 dhjetor 1991, Ilazi ishte ndër ata që bashkë me shokë rezistuan me armë atë ditë.

 

Veçanërisht pas asaj kohe, oda e familjes Kodra u bë një nga bazat e hershme të grupeve të armatosura që e rritën dhe e ngritën Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Aty u diskutuan dhe u organizuan aksione dhe aktivitete nga Ilaz Kodra, Zenun Kodra, Fadil Kodra, Adem Jashari, Hamëz Jashari, Sahit Jashari, Musa Jashari, Rexhep Selimi, Sulejman Selimi, Nuredin Lushtaku, Sami Lushtaku, Fehmi Lladrovci, Ramiz Lladrovci, Shaban Shala, Gani Koci dhe të tjerë luftëtarë të grupeve të armatosura çlirimtare të Drenicës.

 

Më 1993, Ilazi me shokë kishte kryer një aksion të suksesshëm kundër policisë në Drenas, kurse pak kohë më pas, ai ishte larguar për në mërgim në Gjermani. Atje, Ilazi e vazhdoi angazhimin e tij mes organizimesh të mërgatës shqiptare, me tubime dhe aktivitete të tjera. Më 6 maj të vitit 1997, ai u përballë me ushtarët serbë në kufi duke u futur nga Shqipëria në Kosovë, në konfrontimin e armatosur ku u vra Luan Haradinaj.

 

Në korrik të vitit 1997 bashkë me Abedin Rexhën, Ilaz Kodra u kthye përfundimisht nga Gjermania në Kosovë. Në muajt në vijim gjatë gjysmës së dytë të vitit 1997, Ilaz Kodra u angazhua maksimalisht në organizimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas rezistencës dhe rënies së Adem Jasharit në mars të vitit 1998, njësitet e UÇK-së do të përballeshin me ofenzivat e ushtrisë dhe policisë së Serbisë që gjatë verës së vitit 1998 u orvatën ta shuanin fare UÇK-në.

 

Pas rënies së Fehmi Lladrovcit, Ilaz Kodra e mori komandën e Brigadës 114, në krye të së cilës më 8 nëntor 1998 në fshatin Shkabaj, pikërisht pranë varrit të Fehmi Lladrovcit, ai drejtoi betimin e ushtarëve të Batalionit të Parë të Brigadës 114. Në këto kohë, në një intervistë për një televizion gjerman, Ilaz Kodra ishte shprehur qartë dhe me vendosmëri me këto fjalë:

“Ne luftojmë që okupatorin serb ta përzëmë nga trojet tona. Populli shqiptar duhet të vendosë vet për fatin e tij. Nëse të gjitha metodat e tjera diplomatike do të dështojnë, ne do të veprojmë me metoda tjera për çlirimin e Kosovës. Ne do të luftojmë sepse jemi në vendin tonë dhe këtu do të vdesim. Jeta është më e çmuara dhe nuk ka më të çmuar se jeta, por vetëm liria është më e shtrenjtë se jeta. Dhe ne jemi në gjendje me dhanë edhe jetën për liri.”

 

Muajt në vazhdim dhe rrjedhojat e luftës në Kosovë, i dhanë të drejtë dhe vërtetësi këtyre fjalëve të Ilaz Kodrës. Më 30 prill 1999, forca të shumta ushtarake dhe policore të Serbisë, i rrethuan mijëra banorë të strehuar në fshatrat Vërboc dhe Shtuticë. Ilaz Kodra bashkë me luftëtarë të tjerë të Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”, u pozicionuan në mbrojtje të banorëve civilë dhe luftuan me trimëri përkundër mundësive aq të pabarabarta përballë forcave armike serbe. Nga ora 5 e mëngjesit deri në ora 4 të pasdites, forcat e Serbisë i granatuan pa pushim ato anë të Drenicës, duke i vrarë gjithsej 315 njerëz. Mes tyre, atë ditë, rreth orës 16:00, u vra duke luftuar edhe Komandanti Ilaz Kodra, Komandant i Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”.

 

I përhershëm do të jetë kujtimi për Ilaz Kodrën dhe i nderuar vendi i tij në historinë moderne të Kosovës. Andaj krenohuni me Ilaz Kodrën ju zonja Kimete, bashkëshorte e heroit Ilaz Kodra; vajzat e Ilazit, Sumeja dhe Krenare Kodra; vëllai Avni dhe axha Rexhep Kodra. Sepse përtej familjes e përveç familjës dhe familjarëve e farefisit, krenarisë dhe nderimeve për Ilaz Kodrën nisur nga bashkëluftëtarët e tij të gjallë, u janë bashkuar të gjithë qytetarët e Kosovës dhe mbarë kombi shqiptar.

 

Lavdi Ilaz Kodrës, lavdi dëshmorëve të Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lavdi të gjithë 315 të rënëve për lirinë e Kosovës më 30 prill 1999. I kujtofshim përherë!

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit