Kurti ofertë publike PDK-së: Na i siguroni gjysmën e votave për Bekim Sejdiun, ejani e kalojmë ligjin për Specialen

- Advertisement -

Kryeministri Albin Kurti, në një konferencë për media ka bërë një ofertë të re për Partinë Demokratike të Kosovës lidhur me zgjedhjen e presidentit.

Kurti tha se, duke qenë se janë në orët e fundit të afatit, Vetëvendosja po bën një ofertë konkrete për PDK-në.

Ai kërkoi nga PDK-ja që publikisht të zotohet se do t’i sigurojë së paku gjysmën e votave të deputetëve të saj për kandidatin e propozuar për president, Bekim Sejdiu.

“Meqë ne jemi në orët e fundit kur kalon afati, ne po e bëjmë edhe një ofertë shtesë e konkrete. Nëse PDK zotohet publikisht se i siguron së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për profesor Bekim Sejdiun, meqë pjesën tjetër e kemi me LDK-në, atëherë ne po procedojmë me votimin në lexim të dytë”, tha Kurti.

Ai u bëri thirrje përfaqësuesve të PDK-së që këtë zotim ta bëjnë publikisht para qytetarëve.

“Po kërkojmë nga PDK publikisht që të zotohet para jush, para qytetarëve, se së paku gjysmën mund të na i sjellin në seancë të votojnë, qoftë edhe kundër Bekim Sejdiut”, deklaroi Kurti.

Sipas tij, aktualisht ekziston një mundësi e veçantë për të tejkaluar situatën politike. “Kemi një shans unik përpara”, tha Kurti.

Të ngjashme

Të fundit