Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Bashkimi Evropian t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat për anëtarësim, duke theksuar se vendi nuk po kërkon favore apo privilegje, por njohjen e progresit të arritur.
Në hyrje të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, që po mbahet në Bruksel, Kurti ka shprehur pritjen që takimi të shërbejë për shkëmbimin e ideve dhe diskutimin e hapave të ardhshëm drejt integrimit evropian.
“Sa i përket Kosovës, ne presim statusin e kandidatit për shtetin tonë. Është vonuar shumë. Në dhjetor do të bëhen katër vjet qëkur kemi aplikuar për pranim në BE. Vetë e kam dorëzuar në Pragë gjatë presidencës çeke. Jemi i vetmi shtet pa statusin e kandidatit”, ka deklaruar Kurti para gazetarëve.
Ai ka theksuar se Kosova kërkon që progresi në demokraci, zhvillimin ekonomik, luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit të merret parasysh nga institucionet evropiane.
“S’po kërkojmë shpërblime, privilegje ose favore. Po kërkojmë të njihet progresi i Kosovës sa i përket avancimit demokratik, rritjes ekonomike, luftës ndaj korrupsionit, sundimit të ligjit, të drejtave politike dhe lirive qytetare”, ka thënë ai.
Kreu i Qeverisë ka shtuar se çështja e marrjes së statusit të kandidatit është shndërruar në urgjencë për Kosovën.
Kurti ka shprehur gjithashtu pritjen që në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian, në dhjetor, t’i kërkohet Komisionit Evropian të japë opinionin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Gjatë deklarimit të tij, kryeministri ka kërkuar edhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit, përfshirë marrëveshjet për mobilitetin dhe njohjen e diplomave të studentëve dhe profesionistëve.
Ndërkaq, duke folur për sundimin e ligjit dhe përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë, Kurti ka kërkuar nga Serbia arrestimin dhe dorëzimin e Milan Radoiçiqit tek autoritetet e drejtësisë.






