Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se përmes skemës së re të iniciuar, për herë të parë po përfitojnë mbi 417,000 fëmijë në mbarë vendin.
“Me anë të skemës së re të inicuar, për herë të parë po përfitojnë mbi 417,000 fëmijë në mbarë vendin, së paku nga 20 euro në muaj, ndërsa për familjet që kanë tre apo më shumë fëmijë, ata përfitojnë nga 30 euro në muaj për secilin nga fëmijët”, ka shkruar kryeministri në Facebook.
Pas renovimeve në Klinikën Emergjente, përmes dy vizitave në institucione parashkollore, te çerdhja publike “Yllkat” si dhe në çerdhen publiko-private “Zogjtë” në Prishtinë, Kurti tha se bashkë me ministrin Hekuran Murati shënuan fillimin e zbatimit të shtesave të ridizajnuara për fëmijë.
“Vetëm në këto dy kopshte, janë mëse 350 fëmijë të grupmoshave 9 muaj deri në 6 vjeç, të cilët janë përfitues. Nga shëndetësia tek arsimi. Në mbështetje të secilës e secilit dhe të familjeve. Ndryshimi është i prekshëm atëherë kur shteti është i të gjithëve”, ka shtruar tutje Kurti.