Kurti tha se përmbushja e misionit politik të Lëvizjes Vetëvendosje është detyrim historik ndaj Kosovës dhe kombit shqiptar.
Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje po hyn në një tjetër fushatë zgjedhore e papërkulur përballë kundërshtarëve politikë.
“Jemi në një tjetër fushatë, në prag të saj formalisht, në një tjetër ballafaqim me të kaluarën apo përfaqësitë e saj që nuk do të vdesin kurrë siç duket pa u përpjekur edhe një herë të na marrin frymën. Por ja që ne jemi këtu të pathyer, më të fortë se kurrë, me duar të pastra e me ballëhapur”,u shpreh Kurti.
Duke folur për zgjedhjet e 7 qershorit, Kurti tha se Vetëvendosje synon rritje të mëtejshme elektorale pas rezultateve të fundit zgjedhore.
“Jemi sot saktësisht 29 ditë larg 7 qershorit, pra nesër katër javë janë zgjedhjet e reja e të jashtëzakonshme, të cilat vijnë më pak se pesë muaj pas zgjedhjeve të kaluara ku ne shënuam 51% të votave. E ato vinin dhjetë muaj pas zgjedhjeve ku ne fituam 42% të votave. Prej shkurtit deri në dhjetor, pra në vitin e kaluar, u rritëm për 9%. E nëse rritemi po aq prej dhjetorit deri në qershor, atëherë vërtet mund të prekim 60%”, thotë ai.
Ai tha se Kosova nuk kishte nevojë për zgjedhje të reja kaq shpejt, duke aluduar se opozita po e shtyn vendin drejt krizave politike.
“Me gjithë këtë, unë jam i mendimit që si shtet e si shoqëri, si institucione e sistem që duhet të funksionojnë në mënyrë demokratike dhe efikase, ne nuk kishim nevojë për zgjedhje të tjera të reja kaq shpejt. Duket sikur dikush, mbase ndonjë strateg që rri nga hija e që drejton nga prapaskenat veprimet e opozitarëve, po mendon që zgjedhjet janë të domosdoshme. Ndoshta janë për opozitën, por jo për popullin e për shtetin”, shtoi Kurti.






