Kurti kujton 36-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut

- Advertisement -

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar 36-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut, duke e cilësuar 7 shtatorin e vitit 1990 si një moment të rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt shtetësisë.

Kurti ka thënë se me shpalljen e Republikës së Kosovës dhe miratimin e Kushtetutës së saj, delegatët e Kuvendit të Kosovës iu kundërvunë regjimit të atëhershëm serb, i cili një vit më parë kishte suprimuar autonominë e Kosovës.

“Kështu autonomia e fituar më 1974 dhe e suprimuar më 1989, u zëvendësua me republikë më 1990”, ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se më 7 shtator 1990, 80 nga 111 delegatët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në Shtëpinë e Kulturës në Kaçanik, në një mbledhje të fshehtë, ku unanimisht miratuan dokumentin kushtetues dhe shpallën Kosovën Republikë.

Sipas Kurtit, kjo ishte Republika e parë e Kosovës, e cila u shndërrua në një republikë të rezistencës, fillimisht paqësore e më pas të armatosur, duke kulmuar me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve 1998-1999.

Ai ka shtuar se më 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës e shpallur në Kaçanik u ripërtëri si shtet i pavarur, sovran dhe demokratik.

“Do të duhej të vinte 17 shkurti i vitit 2008, që republika e Kosovës e shpallur më 7 shtator 1990 në Kaçanik, të ripërtrihej në Republikën e Kosovës shtet të pavarur, sovran dhe demokratik”, ka shkruar Kurti.

Në fund të postimit, Kurti ka shprehur mirënjohje për brezin që kontribuoi dhe u angazhua për Republikën e Kosovës gjatë viteve ’90, duke uruar për të ardhmen politike të vendit.

Të ngjashme

Të fundit