Kurti: Krimet e luftës në Kosovë duhet të dokumentohen me saktësi dhe dinjitet institucional

- Advertisement -

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në takimin konsultativ të organizuar nga Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, ku u prezantua versioni fillestar i listës preliminare të viktimave të luftës së fundit në Kosovë.

Në këtë takim u diskutua për procesin e verifikimit dhe plotësimit të të dhënave mbi viktimat e luftës, i cili, sipas institucioneve, ka zgjatur mbi dy vite.

Kurti tha se dokumentimi i krimeve të luftës është një detyrë shtetërore që lidhet me kujtesën, drejtësinë dhe dinjitetin e viktimave.

“Kjo detyrë e jona lidhet me kujtesën, me drejtësinë, me dinjitetin e viktimave dhe me mënyrën se si Republika e Kosovës e ndërton raportin e saj me të kaluarën dhe me të ardhmen”, u shpreh ai.

Ai shtoi se krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nuk mund të mbeten vetëm në kujtesën individuale, por duhet të dokumentohen në mënyrë institucionale dhe të verifikueshme.

“Nuk mjafton që ne ta dimë çfarë ka ndodhur. Duhet ta dokumentojmë, duhet ta verifikojmë dhe duhet ta ruajmë”, tha Kurti.

Duke folur për listën preliminare të viktimave, Kurti theksoi se çdo emër përfaqëson një histori dhe kërkon trajtim të kujdesshëm.

“Secili emër në këtë listë përfaqëson një jetë të humbur, një familje të goditur dhe një pjesë të historisë sonë”, deklaroi ai.

Kryeministri në detyrë shtoi se Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë është një strukturë shtetërore që, sipas tij, duhet të forcojë dhe institucionalizojë kujtesën historike.

“Instituti përveç se është një strukturë shtetërore, përfaqëson edhe ndërgjegjen tonë kolektive, duke kthyer dhimbjen në kujtesë dhe kujtesën në dëshmi”, tha Kurti.

Në fund, ai theksoi se Serbia duhet të përballet me të kaluarën dhe të hapë arkivat për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, duke shtuar se paqja e qëndrueshme kërkon ballafaqim me të vërtetën.

Të ngjashme

Të fundit