Kurti: Gjatë katër viteve synojmë të ndërtojmë 14 parqe industriale

- Advertisement -

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në prezantimin e konceptit të Parkut Industrial në Gjakovë, nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.

Duke e cilësuar Gjakovën qytet me traditë në ndërmarrësi, tregti dhe prodhim, në të cilin puna është kulturë, kryeministri në detyrë tha se sektori privat është lokomotiva e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

“Plani ynë është që gjatë katër viteve të ardhshme të ndërtojmë 14 parqe industriale në gjithë Kosovën, me një investim prej 30 milionë euro nga Qeveria e Kosovës.
Mitrovica, Gjilani, Lipjani, Drenasi, Rahoveci dhe Podujeva, janë vetëm disa nga komunat ku do të zhvillohen këto parqe. Dhe natyrisht, në këtë vizion nuk mund të mungojë Gjakova”, tha ai, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Kryeministri në detyrë Kurti përmendi synimet për forcimin e prodhimit vendor, për zëvendësimin e produkteve të importuara dhe rritjen e eksportit me prodhime “Made in Kosova”.

“Si dëshmi për këtë kemi dy fakte të pamohueshme, sepse janë shifra, janë statistika, janë realiteti: gjatë qeverisjes sonë është dyfishuar qarkullimi i kompanive private, ndërkaq fitimet janë rritur për më shumë se dy herë e gjysmë. Para qeverisjes sonë asnjëherë fitimi i gjithmbarshëm i korporatave në sektorin privat nuk ka mbërri 900 milionë euro, ndërkaq në vitin e kaluar fitimi ishte 2.3 miliardë euro. Këtë e dimë nga të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës. Do me thënë më shumë se dy herë e gjysmë më shumë është ngritur fitimi i korporatave në sektorin privat. Dhe natyrisht që kjo është pasojë direkte e rritjes së qarkullimit të tyre. Qarkullimi është rritur nga 12.5 miliardë në 25 miliardë euro në vitin e kaluar”, tha Kurti.

Të ngjashme

Të fundit