Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në Kuvend për fenomenin e migrimit, duke identifikuar dy faktorë që, sipas tij, po ndikojnë më së shumti në largimin e qytetarëve nga vendi: cilësia e arsimit dhe problemet në sistemin e drejtësisë.
Gjatë diskutimit, Kurti ka kritikuar edhe gjendjen në pushtetin lokal, duke vlerësuar se kushtet e jetesës në shumë komuna, veçanërisht në zonat rurale, po i shtyjnë qytetarët të shpërngulen drejt Prishtinës, Fushë Kosovës apo jashtë vendit, transmeton lajmi.net.
“Unë jam i bindur se në Kosovë jetohet shumë më mirë si qytetar i Republikës sesa si banor i komunës. Shumica e komunave të Kosovës i kanë kushtet e jetesës të tilla, sidomos në zonat rurale dhe sidomos për shkak të cilësisë së arsimit, që ata ose migrojnë brenda në Fushë Kosovë e në Prishtinë, ose në Gjermani e në Zvicër. Besoni, një ndër shkaqet kryesore të migrimit, qoftë të brendshëm, qoftë jashtë, është arsimi”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri ka thënë se gjatë gjashtë vjetëve të qeverisjes së tij ka krijuar bindjen se arsimi dhe drejtësia janë dy prej sfidave kryesore që ndikojnë në vendimin e qytetarëve për t’u larguar nga Kosova.
Ai ka theksuar se përmirësimi i sistemit arsimor kërkon kohë, stabilitet dhe investime afatgjata, pasi rezultatet nuk mund të vërehen brenda një periudhe të shkurtër.
“Edhe unë jam shumë optimist që do të mund t’i rregullojmë edhe industrinë, edhe mbrojtjen, edhe sigurinë, edhe investimet, kulturë, sport. Sfidë e madhe do të mbetet arsimi, sepse në arsim duhet me mbjellë sivjet edhe dy vite të mëvonshme për me mundur me korrur mbas nja 10-15 vjetëve”, është shprehur ai.
Kurti ka kritikuar gjithashtu organizimin e arsimit në nivelin lokal, duke thënë se do të preferonte që ky sektor të kishte një shkallë më të lartë të centralizimit.
Sipas tij, decentralizimi i arsimit ishte rezultat i rregullimeve të parapara me Pakon e Ahtisaarit, ndërsa ka vënë në pikëpyetje cilësinë e udhëheqjes së drejtorive komunale të arsimit në 38 komunat e Kosovës.
“Unë kisha qenë më shumë që arsimi të jetë më i centralizuar, po jua them shumë hapur. Po prej propozimit të Ahtisaarit, për shkak të 10 komunave me shumicë serbe, arsimi është decentralizuar. Dhe vetëm shikoni sa është cilësia e kuadrove tona që janë drejtorë komunalë të arsimit nëpër 38 komunat e Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se drejtorët komunalë të arsimit duhet të kenë rol dhe përgjegjësi më të madhe, pasi pa ndryshime në këtë nivel, sipas tij, nuk mund të përmirësohet gjendja në arsim.
Ndërkohë, si sfidë të dytë madhore, kryeministri ka përmendur sistemin e drejtësisë, duke thënë se një pjesë e qytetarëve largohen nga institucionet e drejtësisë më të pakënaqur sesa kur kanë hyrë.
“Kemi shumë qytetarë të vendit tonë që kur kanë shkuar në Pallat të Drejtësisë e kanë dalë prej atje, ose nëpër gjykatat themelore, nëpër prokurori, kur janë ankuar, kanë dalë më të pakënaqur sesa kanë hyrë”, ka thënë ai.
Sipas Kurtit, padrejtësitë, problemet me fqinjët apo në vendin e punës, si dhe zvarritja e proceseve gjyqësore, mund të bëhen arsye që qytetarët të marrin vendimin për t’u larguar nga vendi bashkë me familjet e tyre.
“Një problem me fqinjin, një problem me vendin e punës, një padrejtësi diku, një stërzgjatje në proces gjyqësor, shkon me krejt familjen. Neve na duhet me e rregulluar drejtësinë dhe arsimin. Me thënë të drejtën, unë jam optimist për krejt të tjerat. Optimist i përmbajtur jam për këto të dyja”, ka deklaruar kryeministri.
Gjatë fjalimit në Kuvend, Kurti është ndalur edhe te investimet në Brezovicë, duke thënë se deri para dy apo tre vjetësh ato kanë qenë të pamundura, për shkak të ndikimit që, sipas tij, kishte Beogradi përmes aneksit.
“Është e vërtetë që kemi humbur shumë kohë që s’kemi investuar në Brezovicë. Por duhet ta keni parasysh, deri para dy-tri vjetëve realisht ka qenë e pamundur, sepse aneksi i Beogradit e ka kontrolluar Brezovicën”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se fillimisht është dashur të vendoset kontrolli, të bëhet fiskalizimi dhe të emërohet një bord i ri funksional, në mënyrë që të krijohen kushtet për investime.
Kryeministri ka folur edhe për investimet e huaja direkte, duke pretenduar se ato janë dyfishuar. Megjithatë, ai ka thënë se shqetësimi kryesor lidhet me sektorët ku po orientohen këto mjete.
“Investimet e huaja direkte në Kosovë janë dyfishuar. Unë, të dashur qytetarë e të nderuar deputetë, nuk e shoh fare problemin te vëllimi i investimeve. Ne kemi më shumë problem strukturën e investimeve. Edhe më tutje është në patundshmëri, edhe më tutje është në banesa, edhe më tutje është në tokë”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka vlerësuar se përqendrimi i investimeve në patundshmëri përbën një problem jo vetëm ekonomik e financiar, por edhe shoqëror






