Bajrami ia përmend Kurtit rrugët, shkollat e barnat, Murati: Kemi rritur punësimin për 100 mijë veta

- Advertisement -

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, është përplasur në Kuvend me ministrin e Financave, Hekuran Murati, gjatë diskutimit për projektbuxhetin e vitit 2027.

Bajrami ka kritikuar Qeverinë, duke thënë se ndihma për familjet nuk duhet të kufizohet vetëm në shtesa financiare, por duhet të përfshijë edhe përfundimin e projekteve infrastrukturore, përmirësimin e arsimit dhe shëndetësisë.

Ajo ka përmendur rrugën Podujevë-Prishtinë, duke thënë se prindërit që udhëtojnë për punë kalojnë deri në dy orë në rrugë.

“Familjes nuk i ndihmon veç përmes shtesave, por tu i përfundu rrugët, sepse prindërit që udhëtojnë prej Podujevës me punu në Prishtinë, i kalojnë 2 orë në rrugë. Ti nuk i ke përfundu projektet.

Ju ndihmojmë tu ndërtu shkolla, fëmijëve që ti ju jep shtesa sot Kosova iu ofron 340 klasa me ma pak se 5 nxënës në klasë. Ju drejtohem nana që marrin shtesa, prindërve që marrin shtesa, se a janë të kënaqur këta me cilësi të arsimit? Çfarë mësimi merr një nxënës që i ka 4 nxënës në klasë?”, ka deklaruar Bajrami, transmeton Klankosova.tv.

Deputetja e LDK-së ka thënë se familjeve duhet t’u ndihmohet edhe përmes përmirësimit të shërbimeve shëndetësore, krijimit të listës së barnave dhe zvogëlimit të listave të pritjes.

“Familjeve u ndihmohet tu bo listë të barnave, e tu zvoglu lista të pritjes. Por krejt këto kryeministër nuk i keni bo.

Mirë që qeveria me marrë këtë buxhet prapa, me ardh projekt të madh për kapacitetet gjeneruese të energjisë, dhe me pas politika fiskale që e lehtësojnë jetën e qytetarëve”, ka thënë ajo.

Pas kritikave të Bajramit, ministri i Financave, Hekuran Murati, i është kundërpërgjigjur duke kërkuar sqarime nëse ajo po kërkon rritje të tatimeve.

Murati ka thënë se, sipas tij, të hyrat tatimore janë rritur pa pasur ndryshime në politikat fiskale, ndërsa ka përmendur rritjen e punësimit dhe të tatimeve direkte.

“Nuk e kisha të qartë, a po kërkon rritje të tatimeve? Ma sqaro nëse është e saktë, thatë që s’ka pas ndryshim të politikave fiskale, por pikërisht pra kjo është çështja, pa ndryshu asnjë politikë fiskale i kemi rrit të hyrat.

Nëse ju referuat tatimeve direkte, buxheti që ju e keni dorëzu kur keni qenë ministre ka qenë 304 milionë euro tatime direkte. Ka rritje prej 136 për qind e tatimeve direkte, e kemi heq tatimin që ka qenë deri në vlerën 250 euro, ka pas kosto tatimore”, ka deklaruar Murati.

Ai ka pretenduar se numri i të punësuarve në Kosovë është rritur për 100 mijë, nga 350 mijë në 450 mijë, duke e cilësuar këtë si rritje të paprecedentë.

“Ka rritje të punësimit, prej 350 mijë të punësuarve janë 450 mijë. Janë 100 mijë ma tepër të punësuar, si kurrë më parë asnjë qeveri tjetër nuk e kanë shtu numrin kaq të madh të punësimeve”, ka thënë Murati në Kuvend.

Të ngjashme

Të fundit