Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka vazhduar t’ia rikujtojë kryeministrit Albin Kurti premtimet për ndërtimin e rrugëve, të cilat ende nuk kanë përfunduar sipas afateve të paralajmëruara.
Bajrami ka publikuar sot një premtim të Kurtit nga viti 2021, kur ai kishte thënë se rruga Prishtinë–Podujevë do të përfundonte në vitin 2022.
“Rruga Prishtinë–Podujevë.
Më 2 nëntor 2021, Albin Kurti premtoi se rruga Prishtinë–Podujevë do të përfundonte në vitin 2022. Sot, gati pesë vjet më vonë, rruga ende nuk ka përfunduar. Gjashtë vjet e mbi 20 miliardë euro buxhet të humbura, pa lënë asnjë shenjë në këtë vend”, ka shkruar Bajrami.
Ajo e ka bashkëngjitur edhe një video-lajm, në të cilin Kurti premtonte në vitin 2021, se punimet në këtë rrugë do të përfundonin brenda një viti.
Për kujtesë, kjo ishte deklarata e Kurtit më 2 nëntor 2021:
“Jemi bashkë me Bulliqin që ta konstatojmë një zvarritje dhe zhagitje, e cila, përveç që është e dëmshme, është edhe e paarsyeshme. Prandaj, teksa sektori 2 do të përfundojë deri në fund të vitit 2021, në vitin 2022 ne zotohemi që do t’i përmbyllim komplet punimet dhe gjithçka çka është e nevojshme, në mënyrë që kjo rrugë, e cila lidh Llapin me kryeqytetin, të jetë e përfunduar dhe, asisoj, njerëzit të mos i kenë këto vështirësi me këtë trafik kaq të dendur, i cili duket si në qendër të Prishtinës e jo këtu ku ndodhemi ne”, ishte shprehur Kurti.






