Kurti e Konjufca optimistë për anëtarësim në KiE, por a mbetet kusht themelimi i Asociacionit?

- Advertisement -

 

Çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) është kthyer sërish në diskutim si një nga temat e rëndësishme të politikës së jashtme të vendit.

Një gjë e tillë është diskutuar së fundmi, në takimet që kryeministri Albin Kurti dhe kryediplomati Glauk Konjufca kanë pasur me zyrtarë të nivelit të lartë evropianë, përfshirë atë me ministrin e jashtëm belg, Maxime Prévot, që gjatë ditës qëndroi për vizitë në Kosovë.

Liderët institucionalë të Kosovës, në këto takime kanë shprehur optimizëm për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por ata kanë mohuar se çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe do të jetë sërish kriter.

Lidhur me këtë, gjatë ditës, Konjufca e bëri përgjegjës ish-emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke deklaruar se ia ka vendosur “një peng” Kosovës që nuk i takon lidhur me anëtarësimin në KiE, e që është formimi i Asociacionit.

Ai shtoi se Asociacioni s’është kriter për anëtarësim në KiE, porse kriter ka qenë çështja e Manastirit të Deçanit, gjë që tha se “është kry”.

Megjithatë, ndryshe nga ky optimizëm, diplomati Albert Prenkaj paraqet një qasje më kritike ndaj situatës.

Në një prononcim për Klankosova.tv, Prenkaj shtoi se anëtarësimi i Kosovës në KiE mbetet i lidhur ngushtë me dialogun dhe përmbushjen e kërkesave ndërkombëtare.

“Për çfarëdo hapi të mëtejmë në politikën e jashtme të Kosovës, mendoj se mbeten negociatat me Serbinë dhe implementimi i Bashkësisë së Komunave me Shumicë serbe, si kërkesë këmbëngulëse e bashkësisë ndërkombëtare. Anëtarësimi i Kosovës në KiE, dhe tutje në platforma ndërkombëtare, tashmë është kushtëzuar me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, të akorduar në vitin 2023 në Bruksel dhe Ohër, në mes kryeministrit të Kosovës Kurti dhe presidentit të Serbisë Vuçiq”, ka thënë Prenkaj.

Sipas tij, çështja e Manastirit të Deçanit tashmë është tejkaluar, por momentumi për anëtarësim është humbur.

“Kushtëzimi për implementim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronën e dhënë në dobi të Manastirit të Deçanit për anëtarëaim në KiE është shterr për arsye të sjelljeve diletanteske të atëhershme të politikës së jashtme të Kosovës. Momentumi i duhur për anëtarësim në KiE është luajtur bixhoz dhe për një kohë është humbur.”, tha ai.

Prenkaj për Klankosova.tv gjithashtu rikujtoi rastet e kushteve ndërkombëtare ndaj Kosovës, duke përmendur se “heqja e sanksioneve u kushtëzua në dy faza”, duke treguar se kushtëzimet janë pjesë e vazhdueshme e proceseve ndërkombëtare për vendin.

“Është për t’u përshëndetur entuziazmi i shprehur i Kurtit dhe Konjufcës, por mendoj se realiteti është tjetër dhe i pandryshueshëm, për të mos thënë se është kushtëzues. Nëse ju kujtohet se si u kushtëzua heqja e sanksioneve, dhe atë në dy faza: faza e parë e heqjes u kushtëzua me kalimin paqësor të mandateve në komunat me shumicë serbe, ndërsa pjesa tjetër e cila fillimisht u kushtëzua me formimin e Qeverisë, e cila vonoi, por që u realizua me pezullimin e ligjit për të huajt dhe njohjen e dokumenteve të Serbisë e të lëshuara nga e ashruquajtura “Zyra për Kosovë dhe Metohi”, tha Prenkaj.

Në fund, ai thekson edhe mungesën e mbështetjes nga disa vende kyçe, siç janë Italia, Franca, Gjermania, Britania e Hungaria.

Në maj të vitit 2022, Kosova kishte aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, derisa Qeveria në shkurt të vitit 2024 kishte marrë vendim që të zbatojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit.

Por, përveç këtij kriteri, Kosovës iu shtua edhe ai për themelimin e Asociacionit, me ç’rast më 17 maj të vitit 2024, u la jashtë agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

Arsyeja e këtij refuzimi ishte përmendur mosdërgimi për interpretim në Gjykatën Kushtetuese i draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të hartuar nga Bashkimi Evropian.

Të ngjashme

Të fundit