Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me zëvendësen e tij, Donika Gërvallën, kanë pritur në Konsullatën e Kosovës në New York, Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit, James O’Brien dhe emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
Bëhet e ditur se Kurti foli me O’Brien e Lajçakun për zhvillimet e fundit në vend por edhe për procesin e dialogut dhe bashkëpunimit rajonal në prag të samitit të radhës të Procesit të Berlinit.
“Kryeministri ndër të tjera theksoi së Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar maksimalisht edhe në vazhdimësi në ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët e saj pa dallim dhe për krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë në të cilin respektohen të drejtat e qytetarëve dhe ligjit i Republikës”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Më tej, bëhet e ditur se Kurti nënvizoi përkushtimin për bashkëpunim rajonal mbi parimet e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së barabartë në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, teksa thuhet se ritheksoi përkushtimin dhe angazhimin konstruktiv “në procesin e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, sipas parimeve të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksin e saj, që duhet të zbatohet e plotë”.