Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq do të qëndrojë sot në Kosovë në një vizitë zyrtare.
Policia e Kosovës njoftoi se për shkak të kësaj vizite do t’i marrë disa masa të sigurisë dhe do të kujdeset për trafikun kur të kalojë eskorta e presidentit malazez.
“Policia e Kosovës njofton opinionin publik se me datën 19 tetor 2026, Presidenti i Malit të Zi, z. Milatović, do të qëndrojë në Republikën e Kosovës, ku Policia, sipas detyrës zyrtare, do të ndërmarrë masat e sigurisë si dhe do të kujdeset për rregullimin e trafikut, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të tij në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Sipas nevojës, Policia tha se do ta ndërpres përkohësisht qarkullimin e trafikut në disa segmente rrugore dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për këtë.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës, sipas itinerarit të lëvizjes, nga pika kufitare Kullë –Pejë, si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare të vizitës në rajonin e Pejës, Policia e Kosovës, sipas nevojës, do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”.






