Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se për vitin shkollor 2026/2027 janë shpërndarë 37 mijë e 429 libra në gjuhën shqipe dhe gjuhë të huaja për 3 mijë e 686 nxënës shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Sipas Kurtit, librat janë shpërndarë në 15 shkolla fillore me mësim në gjuhën shqipe, nga klasa e parë deri në të tetën.
“Për vitin shkollor 2026/2027, përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar, janë shpërndarë 37.429 libra në gjuhën shqipe dhe të gjuhëve të huaja për 3.686 nxënës në 15 shkolla fillore me mësim në gjuhën shqipe, nga klasa e parë deri në të tetën”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti ka thënë se, pavarësisht pengesave, Qeveria e Kosovës do të vazhdojë mbështetjen për arsimin në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës.
“Ne do të jemi pranë secilit nxënës e secilës nxënëse në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Që nga viti 2022, mbështesim pajisjen e nxënësve shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me libra falas”, ka deklaruar ai.
Ai ka kritikuar gjithashtu Beogradin për, siç ka thënë, pengimin e mjeteve të dedikuara për shqiptarët e Luginës.
“Mbështetja jonë për arsimin në gjuhën shqipe është e qëndrueshme. Shqiptarët e Luginës nuk janë vetëm”, ka përfunduar Kurti.






