Bizneset e vogla në Kosovë po përballen me rritje të shpenzimeve për paga, qira, energji dhe furnizim, ndërsa ekspertët vlerësojnë se politikat aktuale fiskale po ua vështirësojnë funksionimin dhe zhvillimin.
Në emisionin “Praktik” në Klan Kosova, kontabilisti Edi Belegu tha se një nga problemet kryesore mbetet pragu i TVSH-së prej 30 mijë eurosh, pasi bizneset që e tejkalojnë këtë qarkullim përballen me kosto shtesë dhe humbin një pjesë të konkurrueshmërisë.
Sipas tij, rritja e pagës minimale ka shtuar ndjeshëm shpenzimet fikse të bizneseve, veçanërisht për ato që kanë disa punëtorë, ndërsa rritja e çmimeve të produkteve nuk është gjithmonë e mundur për shkak të konkurrencës në treg.
Belegu rekomandoi ndryshimin e politikave fiskale, përfshirë rritjen e pragut të TVSH-së deri në 80 mijë euro, me qëllim që bizneset e vogla të kenë më shumë hapësirë për të operuar, investuar dhe krijuar vende pune.
Ai theksoi se qarkullimi nuk nënkupton domosdoshmërisht fitim, pasi një pjesë e madhe e të hyrave shkon për paga, qira, energji, tatime dhe shpenzime të tjera operative.
Sipas tij, shteti duhet të gjejë një balancë mes mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve dhe mundësisë së bizneseve për të përballuar kostot, pasi rritja e vazhdueshme e shpenzimeve mund të reflektohet edhe në çmime dhe inflacion.






