Kur mund të shpallet vendimi final për Hashim Thaçin dhe të tjerët

- Advertisement -

Më 18 maj 2026 bëhen 90 ditë që nga përfundimi i procesit të fjalëve përmbyllëse të palëve para Dhomave të Specializuara në Hagë për rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, shkruan Gazeta Express.

Sipas Rregullores, trupi gjykues do të duhej të nxirrte një vendim brenda këtij 90 ditëshi, megjithatë një datë specifike për vendimin final ende s’është caktuar.

Kështu ka konfirmuar për Express zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep.

“Data e saktë për shpalljen e vendimit në rastin Thaçi dhe të tjerët nuk dihet ende, por publiku do të njoftohet kur gjyqtarët të caktojnë një datë”, ka thënë Griep.

Ajo s’ka përjashtuar mundësinë që gjyqtarët mund të kërkojnë kohë shtesë përtej 90 ditëshit, nëse diçka e tillë do të jetë e nevojshme.

“Afati kohor për arritjen e një vendimi është specifik për secilin rast. Rregullat specifikojnë që Trupi Gjykues mund t’i zgjasë shqyrtimet përtej 90 ditëve kur rrethanat kërkojnë më shumë kohë”, ka potencuar Griep për Express.

Afati 90 ditor për nxjerrjen e vendimit është i përcaktuar sipas Rregullës 159 të Dhomave të Specializuara dhe koha shtesë përveç rasteve ekstreme s’mund ta kalojë 60 ditëshin.

”Aktgjykimi i shkallës së parë shpallet brenda nëntëdhjetë (90) ditëve nga mbyllja e çështjes, në përputhje me Rregullën 136, dhe mund të përfshijë një vendim sipas Nenit 22(7) të Ligjit. Kur rrethanat e çështjes kërkojnë kohë shtesë, ajo nuk duhet të kalojë gjashtëdhjetë (60) ditë, përveç rasteve kur një zgjatje e mëtejshme është absolutisht e domosdoshme. Vendimi për zgjatjen duhet të jetë publik dhe t’u njoftohet palëve dhe përfaqësuesit të viktimave. Për zgjatjen duhet të jepen arsyet”, thuhet në Rregulloren e Gjykatës Speciale.

Sipas kësasj Rregulloreje, Aktgjykimi i shkallës së parë, ose një përmbledhje e tij, shpallet publikisht në emër të popullit të Kosovës dhe në praninë e të akuzuarit, përveç nëse rrethana të jashtëzakonshme arsyetojnë mungesën e tij ose të saj.

Aktgjykimi i shkallës së parë duhet të jetë me shkrim dhe të përmbajë arsyetim për gjetjet e Panelit, derisa në rast të lirimit nga akuza, aktgjykimi mund të shpallet gojarisht, i ndjekur nga arsyetimi me shkrim sa më shpejt që të jetë e mundur.

Katërshja e UÇK’së vazhdojnë të jenë në paraburgim në Hagë që nga viti 2020 që kur Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tyre.Në fjalët përmbyllëse, ekipet mbrojtëse kanë kërkuar lirim nga të gjitha aktakuzat për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin.

Derisa, Kryeprorkurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Gjykatën Speciale në Hagë, Kimberly West, ka kërkuar nga 45 vjet dënim me burg për secilin, apo 180 vjet gjithsej për katër të akuzuarit e rastit Thaçi dhe të tjerët

Të ngjashme

Të fundit