Kupa e Kosovës, nesër luhen ndeshjet e kthimit gjysmëfinale

- Advertisement -

Të mërkurën, do të përcaktohen edhe dy skuadrat që do të përballen në finalen e madhe të Kupës së Kosovës në futboll.

Pas ndeshjeve të para gjysmëfinale, të mërkurën nga ora 15:00, do të zhvillohen duelet e kthimit që do të luhen në Ferizaj dhe Klinë.

Skuadrat vendase janë në avantazh ndaj skuadrave mysafire, të cilat i mposhtën në duelet e para që u zhvilluan javë më parë.

Ferizaj që triumfoi 2:1 në Podujevë, tani e pret Llapin, ekip që kërkon përmbysjen dhe kualifikimin në finalen e Kupës së Kosovës.

Si Ferizaj ashtu edhe Llapi po luftojnë për mbijetesë në Superligë por duan triumfin në Kupë për të siguruar daljen në garat evropiane sezonin e ardhshëm.

Gjithashtu, në krye të Ferizajt në këtë ndeshje do të debutojë edhe trajneri i rikthyer Arsim Abazi, i cili u zyrtarizuar të hënën te skuadra vendase.

Ndërkohë, Ballkani i Suharekës ka mision tejet të vështirë në ndeshjen e kthimit kundër Dukagjinit, ekip që ndeshjen e parë e fitoi me rezultatin e thellë 3:0.

Ballkani nuk ka treguar formë të mirë as në kampionat në xhirot e fundit, ndërsa Dukagjini në këtë përballje futet pas fitores 3:2 në udhëtim kundër Gjilanit.

 

Të ngjashme

Të fundit