Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Altin Krasniqi, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e bllokon qëllimisht funksionimin e institucioneve në Kosovë.
Përmes një reagimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se për muaj të tërë kanë paralajmëruar se Vetëvendosje është “bllokuese”, ndërsa sipas tij, sot “ranë përfundimisht maskat”.
“Lëvizja Vetëvendosje nuk do shtet normal dhe nuk dëshiron institucione funksionale. Për muaj të tërë e kemi thënë se janë bllokuesit. Sot ranë përfundimisht maskat. Është absurde që një parti që ka marrë shumicën për të qeverisur, ta bllokojë formimin e institucioneve”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka deklaruar se mungesa e aftësisë për të qeverisur, sipas tij, është dëshmuar gjatë viteve të fundit, por e ka cilësuar më të rrezikshëm bllokimin e qëllimshëm të institucioneve.
“Që nuk dinë të qeverisin, e kemi kuptuar këto gjashtë vite. Por që, me vetëdije dhe me plan, të bllokojnë e të dëmtojnë institucionet e ndërtuara me mund, sakrificë dhe përkushtim ndër vite, kjo është shumë më e rrezikshme”, ka deklaruar deputeti i PDK-së.
Krasniqi shtoi se qytetarët, sipas tij, tashmë e kanë parë qartë atë që PDK-ja e ka thënë prej kohësh.
“Albin Kurti nuk po kërkon institucione funksionale. Po kërkon bllokadë dhe kriza të vazhdueshme”, ka shkruar Krasniqi.






