Por, si është aktualisht KQZ, pesë vite pas shkarkimit të Valdete Dakës? Ndonëse nuk ka shumë dëshirë ta komentojë punën e saj, thotë se ndërkombëtarët kanë vlerësuar se KQZ është politizuar.
“Edhe pse nuk kam shumë qejf që ta komentoj punën e KQZ-së, sidomos punën e kryesuesit të tashëm, megjithatë në zgjedhjet e kaluara është vërejtur një politizim i jashtëzakonshëm i KQZ-së, çka është thënë edhe në raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë, sepse ne patëm 4 palë zgjedhje me balotazh dhe ata e kanë thënë këtë, që KQZ-ja është politizuar, janë marrë vendime politike, jo ligjore, janë bërë tema çështje të cilat nuk janë fare çështje e KQZ-së, që është për të ardhur keq sepse e thashë që me shumë mund është ndërtuar një institucion i cili ka kredibil dhe ka gëzuar besim te qytetarët”, ka thënë ajo.
E, KQZ që nga viti i kaluar po përballet me organizimin e zgjedhjeve të shumta. Për Dakën kjo nuk është sfidë e madhe, pasi KQZ është mësuar me zgjedhje të tilla.
“Përveç lodhjes, që e kanë punëtorët e KQZ-së, nuk është ndonjë sfidë sepse po them, sa kam qenë unë, kemi organizuar vetëm zgjedhje të jashtëzakonshme, asnjëherë të rregullta përveç atyre lokale dhe janë organizuar dhe kanë shkuar në mënyrë perfekte, nuk është ndonjë sfidë e madhe sepse KQZ është mësuar që të organizojë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe në afate shumë të shkurtra, por është çështje tjetër se sa është e nevojshme që të organizohen aq shpesh zgjedhjet”, ka theksuar Daka.
Ndonëse demokracia kushton, mbajtja e zgjedhjeve aq të shpeshta thotë se janë shumë miliona të humbura për një vend si i joni.
“Njëherë dikush më ka thënë që demokracia kushton por tash pak shumë po kushton sepse për një vit të harxhohen aq shumë para, diku 40 milionë euro, janë bukur shumë për një shtet si i joni”, ka potencuar ajo.
Ish kryetarja e KQZ-së vlerëson se ky institucion ka dështuar në zgjedhjet e shkurtit të vitit të kaluar, derisa pati probleme me rezultatet preliminare.
“Si duket KQZ-ja në atë kohë e ka marrë si të qenë faktin që krejt këto do të kryhen pa asnjë pengesë dhe nuk i ka kushtuar shumë rëndësi mënyrës se si organizohet ajo pjesë apo shpallja e rezultateve. Duhet theksuar se shpallja e rezultateve është pjesa më e rëndësishme sepse krejt çka ndodh, ndodh për atë rezultat, pra është momenti kyç kur e gjithë Kosova i ka sytë e drejtuar në ekran dhe i pret rezultatet dhe KQZ fatkeqësisht ka dështuar, krejt ai operacion nuk është menaxhuar si është dashur dhe ka qenë dështim i KQZ-së”, është shprehur ish kryetarja e KQZ-së.
Për këtë Daka thotë se janë disa arsye.
“Ka qenë ndoshta edhe pa përvoja, ka pasur shumë anëtarë të rinj, kryetari i ri, pa përvoja dhe e kanë marrë si fakt të kryer se krejt dalin si gjithmonë, ashtu ka qenë edhe pritja e qytetarëve, sepse kanë pritur që si gjithmonë rezultatet do të dalin menjëherë por ka pasur disa rrethana që kanë ndikuar në mosdaljen e atyre rezultateve”, ka deklaruar Daka.






