Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) është mbledhur sot për të shqyrtuar dhe marrë vendime për 26 raste që lidhen kryesisht me mbulimin mediatik të zgjedhjeve të shkurtit 2025.
Në mesin e vendimeve të marra, KPM ka shqiptuar një gjobë prej 3 mijë eurosh ndaj televizionit Klan Kosova.
Sipas kryetarit të KPM-së, Besnik Berisha, arsyeja e dënimit lidhet me faktin se “kronikat kryesisht kanë pasur qasje të anshme, të pabalancuara dhe të bazuara në vetëm një burim informacioni e që lidhen me pushtetin aktual”.
Lidhur me këtë vendim ka reaguar kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, i cili e ka cilësuar arsyetimin e KPM-së si “absolutisht skandaloz” dhe si “vërtetim të kapjes së këtij institucioni nga Vetëvendosje”.
Sipas Rexhës, përmes këtyre vendimeve po tentohet të ushtrohet presion ndaj mediave në Kosovë.
Përveç Klan Kosovës, KPM ka shqiptuar gjoba edhe ndaj RTK1 dhe Kanal10 për shkelje të pretenduara që lidhen me zgjedhjet. Ndërkohë, gjatë mbledhjes pritet të merren vendime edhe për televizionet T7 dhe TV Dukagjini.
AGK-ja dhe organizatat e shoqërisë civile që po monitorojnë mbledhjen kanë paralajmëruar se në përfundim të saj do të dalin me një qëndrim zyrtar.






