Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës dhe vendimit për të shkuar në zgjedhje të reja, ish-deputeti Eman Rrahmani e ka cilësuar këtë zhvillim si një ndër vendimet më të rëndësishme për vendin që nga shpallja e Pavarësia e Kosovës.
Rrahmani në një intervistë për dokumentarin “Expose”, prodhim i GazetaBlic, ka thënë se ky hap ka shmangur rrezikun e kalimit të Kosovës drejt një sistemi autoritar.
“Ajo çka ka ndodh dje është një prej vendimeve më të mira që i ka ndodh Kosovës mendoj që nga pavarësia e Republikës së Kosovës, për shkak që dje ka shpëtu Kosova nga kalimi në autoritarizëm apo ju është dhënë mundësia qytetarit që të vendos se a do në Republikën e Kosovës, të ketë autoritarizëm apo të ketë demokraci ku qeveria, kryeministri i jep llogari Kuvendit, presidenti zgjedhet prej presidenti dhe nuk kemi një qeverisje e cila e kontrollon edhe kuvendin edhe presidentin edhe secilin institucion në vendin tonë”, vlerësoi ai.Sipas tij, ndonëse procesi zgjedhor mund të ketë kosto financiare rreth 10 milionë euro, përfitimi për shtetin është shumë më i madh në planin afatgjatë.
Rrahmani theksoi se opozita ka luajtur rol kyç në këtë zhvillim, duke mos lejuar që vendi të kaloj në autoritarizëm të plotë.
“E di që për qytetarët mundet me u duk pak e rëndë, shpenzim ndoshta rreth 10 milionë euro, mirëpo ajo se çka është shpëtu është shumë më e madhe sesa ajo që mundet me qenë e shpenzume në afatet e shkurta kohore. Kështu që për të ardhmen e vendit është shpëtim i republikës dhe i demokracisë, andaj është një diçka e cila ka qenë e domosdoshme të ndodhë dhe është falë angazhimit të gjithë deputetëve të opozitës që mos të lejojmë që vendi të kaloj në autoritarizëm të plotë”, theksoi ai.
Ai shtoi se nuk pret një krizë politike, duke vlerësuar se qytetarët tashmë i kanë të qarta të gjitha veprimet e partive politike dhe do të vendosin në bazë të tyre në zgjedhjet e ardhshme.
“Unë besoj që nuk do të ketë krizë politike, besoj që qytetarët tashmë e kanë pa gjithë aktivitetin e secilit, shpërfaqjen e jashtëzakonshme sidomos të këtij pushteti e sidomos në raport me çështjen e presidentës, zgjedhjes së saj. Pra besoj që qytetari është i vetëdijshëm dhe ka me pas mundësinë të vendos edhe në bazë të punës dhe aktivitetit të gjitha partive politike, mbetet detyrë dhe përgjegjësi e jona që të angazhohemi dhe tua shpjegojmë qytetarëve situatën se pse kemi shkuar në zgjedhje dhe pse është e domosdoshme të parandalohet një autoritarizëm në vend. Në asnjë vend në Evropë nuk egziston më autoritarizëm apo dikush që kontrollon gjithçka, ose edhe ajo që është kërku dhe dëshiru nga pushtet që të shkohet në zgjedhje dhe të fitohet mbi 66% të votës, në asnjë vend të Evropës, në asnjë vend demokratik, nuk ekzistojnë më parti politike autoritare që kontrollojnë cdo gjë në vend”, tha tutje ai.
Rrahmani bëri thirrje për angazhim maksimal deri në ditën e zgjedhjeve, të cilat do të mbahen më 7 qershor.
“Çdo herë kam qenë idhtarë i asaj që ne duhet të punojmë, të angazhohemi, pastaj qytetari vlerëson dhe mbështet aq sa na punojmë dhe angazhohemi. Këto ditë deri në ditën e zgjedhjeve kur do caktohet e besoj që do jetë në kuadër të brenda 45 ditësh çfarë edhe është interpretimi i Gjykatës Kushtetuese, duhet të punojmë fort, të angazhohemi fort dhe që të bindim secilin qytetar çka është e dobishme për vendin dhe cila është rruga e cila do të jetë më e mirë për qytetarët e Republikës”, përfundoi Rrahmani.






