Kosova do t’i drejtohet sërish kutive të votimit, e zhytur në tjetër ngërç politik nga po ai pushtet të cilit iu besua plot 51.1% e vullnetit qytetar në fund të dhjetorit 2025. Kjo krizë e re institucionale vjen në moment tejet kritik për vendin, pikërisht atëherë kur treguesit ekonomikë po përkeqësohen me shpejtësi.
Statistikat më të fundit na skicojnë shtrenjtim agresiv të kostos së jetesës, nxitur nga rritja eksponenciale e çmimeve.
Inflacioni, i cili gjatë 2024-ës ishte i qëndrueshëm rreth nivelit 1.6 për qind, nisi të rritet vrullshëm gjatë vitit 2025, për t’u rikthyer në fillim të 2026-ës me nivele që qytetarët nuk i kishin ndier që nga viti 2022.
Kjo rrjedhë e pakontrolluar e çmimeve ka përmbysur edhe projeksionet më konservatore të institucioneve ndërkombëtare për Kosovën, duke e çuar normën vjetore të inflacionit në 6.7 për qind përgjatë marsit të vitit 2026.
Norma Vjetore e Inflacionit në Kosovë
Burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK)

Ky përshkallëzim dramatik i faturës së jetesës lë pas shifrat tashmë të larta të fillimvitit, si 5.8 për qind në janar dhe 6.0 për qind në shkurt.
Kjo barrë e rëndë nuk vërehet vetëm në shifrat vjetore. Të dhënat e ASK-së tregojnë se inflacioni vazhdon rritjen edhe nga muaji në muaj; vetëm gjatë kalimit nga shkurti në mars të 2026-ës, tregu u përball me tjetër shtrenjtim prej 1.5 për qind.
Për më tepër, që nga mesi i gjysmës së dytë të vitit të 2025, Kosova ka nisur të shkëputet ndjeshëm krahasuar me inflacionin e eurozonës dhe atë të vendeve të rajonit.
Përtej presionit të përditshëm të çmimeve, tkurrja ekonomike merr përmasa edhe më të mëdha kur shikohet bilanci tregtar. Kosova mbetet një vend thellësisht i varur nga importet, me një ekonomi që konsumon shumë më tepër sesa prodhon. Në muajt e parë të këtij viti, hendeku tregtar ka vazhduar të thellohet.
Të dhënat theksojnë se eksportet vendase mbulojnë vetëm një pjesë modeste prej 14.1 për qind të importeve, duke gjeneruar deficit mujor që tejkalon 365 milionë eurot.
Krahasuar me deficitin tregtar prej afro 366 milionë eurosh në janar, disbalanca tregtare u thellua edhe më tej duke prekur vlerën e 464 milionë eurove gjatë muajit shkurt të vitit 2026.
Sipas FMN-së, kërcënimi kryesor i brendshëm për ekonominë kosovare mbetet pikërisht rreziku i “një ngërçi tjetër të zgjatur politik lidhur me zgjedhjen e presidentit”, rrezik i cili, duke marrë parasysh zhvillimet e fundit, ka kaluar nga rrafshi teorik në atë praktik. /Nacionale/






