Kombëtarja e Kosovës në futsall po vazhdon përgatitjet për ndeshjen e parë në Main Round të kualifikimeve për Kampionatin Botëror, kundër Gjeorgjisë. Atmosfera në kampin dardan është e mirë, ndërsa synimi është ta nisin me rezultat pozitiv këtë fazë kualifikuese.
Përzgjedhësi Agon Ramadani ka vlerësuar atmosferën brenda ekipit dhe punën që po bëhet gjatë këtij grumbullimi, teksa ka bërë të ditur se lojtarët po stërviten dy herë në ditë.
“Atmosfera brenda kombëtares është jashtëzakonisht e mirë. Ne jemi duke u përgatitur dy herë në ditë. Të hënën udhëtojmë për Tblisi, ku na pret një ndeshje ndaj Gjeorgjisë. Është një kundërshtar me të cilin jemi përballur më parë dhe e njohim jashtëzakonisht mirë. Do të mundohemi që, me pikat tona më të forta, ta sulmojmë”, ka thënë Ramadani.
Ai tutje ka thënë se e mira është që këtë muaj kanë vetëm një ndeshje. “Përveç Gjorgjisë pastaj do të përballemi me Italinë, mirëpo këtë muaj kemi vetëm një ndeshje dhe do të japim maksimumin në këtë takim. Normal kur ekipi kundërshtar është jashtëzakonisht cilësor duhesh patjetër të bësh një ndeshje të mirë, dhe mendoj se ne jemi gati si ndaj Gjorgjisë si ndaj Italisë ta bëjmë më të mirën. Jam i bindur që këtë lojtarët do ta japin maksimumin edhe do të paraqitemi në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka shtuar Ramadani.
Edhe kapiteni Ramadan Alaj është shprehur optimist para këtij dueli, duke theksuar motivimin e lojtarëve dhe rëndësinë e punës së bërë gjatë përgatitjeve.
“Atmosfera është mjaft e mirë. Të gjithë lojtarët janë të motivuar. Po shpresojmë që të dalim sa më mirë në Gjeorgji. Si kundërshtar, e njohim Gjeorgjinë, që është një ekip mjaft i fortë. Kemi pasur disa ndeshje me ta, por kemi pasur edhe probleme. Shpresojmë që kësaj radhe të dalim me sukses, pasi jemi edhe në kulminacionin e përgatitjeve edhe në ekipet tona, edhe në Kombëtare. Është bërë një punë e mirë gjatë këtij grumbullimi. Shpresojmë që të kthehemi me rezultat pozitiv nga Gjeorgjia”, ka deklaruar Alaj.
Ndeshja Gjeorgji –Kosovë, e vlefshme për Grupin 10 të Main Round-it, zhvillohet të mërkurën, më 14 tetor, nga ora 17:00.
Pas këtij dueli, Kosova do të përballet me Italinë më 6 nëntor në Prishtinë, ndërsa më 10 nëntor do të luajë sërish kundër italianëve, këtë herë në udhëtim. Ndeshjen e fundit të këtij grupi, Dardanët do ta zhvillojnë më 24 shkurt, kur në shtëpi do ta presin Gjeorgjinë.
Vendi i parë në secilin grup kualifikohet drejtpërdrejt në Elite Round, e po ashtu edhe katër kombëtaret e dyta me rezultatet më të mira nga 12 grupet, derisa tetë të tjerat luajnë në ‘play-off’, ku katër fituesit kalojnë tutje.






