Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka dhënë tender në vlerë rreth 10 milionë euro për punë ndëtimore në zbatimin e projektit për konservimin dhe restaurimin e Muzeut Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës, raporton Express.
Kontrata është e ndarë në dy pjesë. Për punët ndërtimore për zbatimin e projektit të hollësishëm të arkitekturës dhe inxhinierisë për konservimin dhe restaurimin e Muzeut, kontrata i është dhënë konsorciumit “FRONI 1 SH.P.K; Ceta-General Invest”.
Vlera e kontratës është 2 milionë e 946 mijë e 757 euro. Këtu përfshihen punët e arkitekturës dhe strukturës, të instalimeve elektrike, instalimeve të makinerisë dhe hidroinstalimeve.
Pjesa e dytë e kontratës është për punët në konservimin dhe restaurimin e Teatrit Kombëtar, që është në vlerë dyfish më të lartë. Kjo kontratë i është dhënë konsorciumit “LIMITPROJECT SH.P.K; Rinesa SH.P.K”, për 6 milionë e 994 mijë e 937 euro.
Të dy kontratat janë në afat prej 18 muajsh, apo një 1 vit e gjysmë.
Në dosjen e tenderit theksohet se punët duhet të kryhen në zbatohen në mënyrën më cilësore sipas kërkesës dhe specifikimit; bazuar në parimet, proceset dhe praktikat e konventave dhe kartave ndërkombëtare.
“Ekzekutimi i punëve ndërtimore për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor], të arkitekturës dhe inxhinierisë, për konservimin dhe restaurimin e Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, në Prishtinë. Punët do të zbatohen në mënyrën më cilësore sipas kërkesës dhe specifikimit; bazuar në parimet, proceset dhe praktikat e konventave dhe kartave ndërkombëtare [‘International Council on Monuments and Sites ICOMOS’, ‘International council of Museums ICOM’ dhe ‘United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization UNESCO’], si dhe në përputhje me legjislacionin, rregulloret, normat standardet dhe kodet teknike [vendore, rajonale dhe ndërkombëtare] në fuqi; në kufi të buxheteve dhe brenda afateve kohore të përcaktuara”, thuhet në dosje.