24.1 C
New York
Monday, September 16, 2024

Buy now

Konjufca: Ligje dhe politika që garantojnë barazi dhe gjithëpërfshirje

- Advertisement -

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, sot mori pjesë në konferencën për Agjendën Transformuese të Kosovës të Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm, organizuar nga Këshilli për Zhvillim të Qëndrueshëm i Kuvendit dhe mbështetur nga Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, raporton Scanner.

Kryetari Konjufca me këtë rast tha se duke pasur parasysh kohën sfiduese nëpër të cilën po kalon bota, sidomos pas pandemisë COVID 19, më shumë se kurrë merr kuptim thirrja e sekretarit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për domosdoshmërinë e ngritjes së solidaritetit global.

Kreu i Kuvendit tha se nevojitet solidaritet e bashkëpunim i vendeve të zhvilluara me ato vende që ende janë në faza më të hershme të zhvillimit dhe me ato vende që sfidohen nga mungesa e elementeve bazike për jetë.

“Mendoj që pikërisht ky është qëllimi i Agjendës 2030 të OKB-së. Solidaritet dhe përpjekje e përbashkët për të nxitur barazi, prosperitet dhe mirëqenie për të gjithë pa dallim. Kosova, edhe pa qenë anëtare e OKB-së dhe nënshkruese e Agjendës 2030, ka dhënë zotimin për të kontribuar në përpjekjet e përbashkëta globale për zhvillim të qëndrueshëm. Duke qenë kjo agjendë komplementare e asaj evropiane, jam i bindur se zbatimi i i saj na afron më shumë me këto dy organizma, për ne si shtet aspirues për anëtarësim në to”, tha kryetari i Kuvendit.

Këshilli Për Zhvillim të Qëndrueshëm, i formuar nga Kuvendi i Kosovës, shtoi kryetari Konjufca, luan një rol shumë të rëndësishëm në procesin e zbatimit të kësaj agjende.

Sipas kreut të Kuvendit, deri më tani është arritur që të inkorporohen Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm përbrenda punës së Kuvendit dhe trupave të tij të punës, duke ndihmuar institucionin të luajë një rol më proaktiv në nxitjen e bashkëpunimit ndërsektorial dhe mbikëqyrjen e institucioneve ekzekutive në zbatimin e këtyre objektivave.

“Në këndvështrimin tim Agjenda 2030 duke qenë se është e ndërtuar në formën e një plani zhvillimor për të gjithë sektorët që kërkojnë ndërhyrjen institucionale, e ndihmon Kosovën për të projektuar më mirë dhe më sigurt të ardhmen”, tha kryetari Glauk Konjufca. Ai shtoi se Kuvendi i Republikës së Kosovës do të angazhohet që nëpërmjet mekanizmave që ka në dispozicion, të kontribuojë në miratimin e ligjeve dhe politikave që garantojnë barazi dhe gjithëpërfshirje për të gjitha grupet shoqërore, si dhe mbikëqyrjen efektive të zbatimit të tyre.

Në këtë konferencë po marrin pjesë anëtarë të komisioneve parlamentare, përfaqësues të Qeverisë, shoqërisë civile, komunitetit të biznesit, agjencive të Kombeve të Bashkuara dhe trupave të tjerë ndërkombëtarë të pranishëm në Kosovë.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit