Komuna e Prishtinës ka shprehur ngushëllime për vdekjen e një punëtori, pas rrëzimit të një vinçi në Lagjen e Spitalit.
Sipas deklaratës zyrtare, të gjitha ekipet kanë vepruar me përkushtim maksimal, profesionalizëm dhe koordinim të plotë ndërinstitucional, duke bërë çdo përpjekje për shpëtimin e jetëve dhe sigurimin e vendit të ngjarjes.
“Lidhur me shkaqet dhe rrethanat e aksidentit, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë filluar hetimet për zbardhjen e plotë të rastit” thuhet mes të tjerash në deklaratë.
Kjo është komunikata e plotë e Kryeqytetit:
Kryeqyteti shpreh pikëllimin e thellë për aksidentin tragjik të ndodhur sot në një vendpunishte ndërtimore në rrugën “Holger Petersen”, ku si pasojë e rrëzimit të një kranoje një punëtor ka humbur jetën, ndërsa një punëtor tjetër ka pësuar lëndime të rënda dhe, sipas informatave nga ekipet mjekësore, ndodhet në gjendje të rëndë, por stabile, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Në emër të Kryeqytetit, shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe të afërmve të viktimës, duke uruar një shërim sa më të shpejtë për të lënduarin.
Menjëherë pas pranimit të njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë reaguar me profesionalizëm dhe në kohë rekord të gjitha institucionet përgjegjëse. Në operacionin e shpëtimit dhe menaxhimit të situatës kanë qenë të angazhuara njësitë e Brigadës Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit të Kryeqytetit (BPZ), Policia e Kryeqytetit, pjesëtarë të Njësisë për Reagim të Shpejtë dhe Siguri (NJRSH), ekipet e Urgjencës Mjekësore, si dhe ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca (DSE).
Të gjitha ekipet kanë vepruar me përkushtim maksimal, profesionalizëm dhe koordinim të plotë ndërinstitucional, duke bërë çdo përpjekje për shpëtimin e jetëve dhe sigurimin e vendit të ngjarjes.
Kryeqyteti falënderon secilin pjesëtar të shërbimeve emergjente për angazhimin, guximin dhe profesionalizmin e treguar në këtë ndërhyrje jashtëzakonisht të vështirë.
Lidhur me shkaqet dhe rrethanat e aksidentit, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë filluar hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
Njëkohësisht, Kryeqyteti rithekson rëndësinë e respektimit rigoroz të standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes në punë në çdo vendpunishte ndërtimore, me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla tragjike dhe mbrojtjes së jetës së punëtorëve dhe qytetarëve.






