Komiteti Olimpik alarmon se Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 mund të mos mbahen

- Advertisement -

Komiteti Olimpik i Kosovës  ka konstatuar se ende ekziston rreziku që Kosova t’i humbasë organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Kjo është bërë e ditur në njoftimin e KOK-ut pas mbledhjes së 17-të të Bordit Ekzekutiv, ku njëra nga çështjet kryesore të diskutuara ishte organizimi i kësaj ngjarjeje sportive.

Sipas njoftimit, Bordi ka shqyrtuar zhvillimet e fundit në Komitetin Organizativ të Lojërave Mesdhetare , si dhe letrat e pranuara nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare.

KOK-u ka bërë të ditur se në javët në vijim pritet të mbahet një takim në Athinë me përfaqësuesit e ICMG-së. Në këtë takim, Komiteti Organizativ do të përfaqësohet nga dy përfaqësues të Qeverisë, dy të Komunës dhe dy të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Megjithatë, pavarësisht këtij takimi të paralajmëruar, Bordi Ekzekutiv ka konfirmuar se rreziku për humbjen e organizimit të Lojërave Mesdhetare të vitit 2030 vazhdon të jetë i pranishëm.

“U konstatua po ashtu se ende ekziston rreziku për humbjen e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.

Në të njëjtën mbledhje është propozuar edhe krijimi i një programi për përgatitjen e federatave sportive për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, në përputhje me Ligjin për këto lojëra.

Të ngjashme

Të fundit