Komiteti Ekzekutiv (KE) i Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka zhvilluar mbledhjen e radhës nën drejtimin e kryetarit Agim Ademi, ku fokusi kryesor ishte ecuria e garave dhe zhvillimet në përfundim të këtij edicioni futbollistik.
Në analizën e përgjithshme, KE vlerësoi se garat në të gjitha nivelet po zhvillohen me intensitet dhe rivalitet të lartë. Veçanërisht, Superliga u cilësua si një nga sezonet më konkurruese të viteve të fundit, ku gara për pjesëmarrje në Evropë dhe lufta për mbijetesë mbeten plotësisht të hapura.
Edhe Liga e Parë po karakterizohet nga një nivel i lartë rivaliteti, me disa skuadra tradicionale që janë në garë të fortë për inkuadrim në elitë dhe për pozitën e barazhit.
Për shkak të rëndësisë së ndeshjeve vendimtare dhe mungesës së sistemit VAR në të gjitha stadiumet, u diskutua mundësia që ndeshje të caktuara të zhvillohen në termine të ndryshme, me qëllim rritjen e drejtësisë dhe transparencës në përfundimin e sezonit.
Në këtë drejtim, u theksua përkushtimi maksimal i FFK-së për angazhimin e gjyqtarëve dhe zyrtarëve më të mirë në ndeshjet e mbetura, në mënyrë që gara të përmbyllet në mënyrë sa më të rregullt dhe korrekte.
Komiteti Ekzekutiv vlerësoi gjithashtu progresin e dukshëm të kampionatit vendor, duke përmendur përmirësimin e infrastrukturës, sigurimin shëndetësor për futbollistët dhe rritjen ekonomike të klubeve.
Sipas këtij institucioni, integriteti i garës nuk është cenuar, pavarësisht disa zërave të izoluar për manipulim të ndeshjeve, ndërsa u bë thirrje që çdo pretendim i bazuar në fakte të paraqitet në organet përkatëse.
Në funksion të rritjes së cilësisë, FFK paralajmëroi kritere më të larta për klubet e Superligës, si në aspektin organizativ ashtu edhe në atë infrastrukturor. Njëkohësisht, ka nisur procesi i vlerësimit dhe kategorizimit të stadiumeve nga një ekspert i FIFA-s.
Përveç garave elitare, rëndësi e veçantë iu kushtua edhe zhvillimit të futbollit të vajzave dhe grupmoshave të reja.
U theksua nevoja për riformatim të garave të vajzave për të rritur konkurrencën, ndërsa nga edicioni i ardhshëm pritet që klubet e Superligës të kenë edhe ekipet e vajzave, në përputhje me kërkesat e UEFA-s.
Ndërkohë, Superliga U19 u cilësua si një platformë kyçe për zhvillimin e talenteve dhe promovimin e tyre në arenën ndërkombëtare, sidomos përmes UEFA Youth League dhe interesimit në rritje të skautëve evropianë.
Mbledhja trajtoi edhe çështje të tjera si infrastruktura, investimet në stadiume, projektet për ndriçim dhe përmirësimin e kushteve për tifozët, si dhe zhvillimet në ekipet kombëtare.
Sa i përket Kampit Nacional të FFK-së, u bë e ditur se për stadiumin kryesor është në proces sigurimi i pajisjes së ulëseve, me kapacitet prej 16,800 vendesh.
Në fund, KE konfirmoi vazhdimin e angazhimit për një zhvillim të qëndrueshëm të futbollit në Kosovë, me theks të veçantë në ruajtjen e integritetit dhe rritjen e konkurrencës në gara.






