Komisioneri i Këshillit të Evropës: Glorifikimi i Ratko Mlladiqit është vepër penale

- Advertisement -

Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Michael O’Flaherty, ka dënuar publikisht glorifikimin e ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpskas, Ratko Mlladiq, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte në Bosnje e Hercegovinë.

O’Flaherty, tha se dënon çdo formë të lavdërimit publik të Mlladiqit, duke përfshirë deklaratat e zyrtarëve në entitetin serb të Bosnjës, Republika Srpska, si dhe në Serbi.

Sipas tij, madhërimi i kriminelëve të luftës të dënuar përbën vepër penale sipas ligjeve të Bosnjë e Hercegovinës dhe nuk mbrohet nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“U bëj thirrje të gjitha autoriteteve që të kundërshtojnë glorifikimin e kriminelëve të dënuar të luftës dhe të përmbushin detyrimet e tyre ligjore për të siguruar përgjegjësi, për të mbrojtur të drejtat e viktimave dhe për të ruajtur drejtësinë”, tha O’Flaherty.

Deklarata e tij vjen në një kohë kur në Serbi po zhvillohen diskutime rreth ceremonive të varrimit të Mlladiqit dhe mënyrës se si zyrtarët e lartë serbë do të sillen ndaj tij.

Më herët, ministri irlandez për Çështjet Evropiane, Thomas Byrne, vendi i të cilit aktualisht mban presidencën e Këshillit të BE-së, kishte paralajmëruar se një funeral shtetëror për Mlladiqin apo pjesëmarrja e zyrtarëve të qeverisë serbe në ceremoninë e varrimit do të ishte e papranueshme për Bashkimin Evropian.

Byrne tha se, edhe nëse nuk organizohet zyrtarisht një funeral shtetëror, pjesëmarrja apo nderimi i Mlladiqit nga zyrtarë të lartë të qeverisë serbe do të ishte gjithashtu i papranueshëm.

Ratko Mlladiq u dënua në Hagë me burgim të përjetshëm. Në vitin 2021, aktgjykimi përfundimtar e shpalli atë fajtor për 10 nga 11 pikat e aktakuzës, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë, përndjekjen dhe dëbimin e popullsisë, terrorizimin e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës dhe marrjen peng të pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse të OKB-së.

Gjykata e Hagës konstatoi se Mlladiq ishte përgjegjës për gjenocidin ndaj rreth 8 mijë boshnjakëve në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, si dhe për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve të luftës. /REL/

 

Të ngjashme

Të fundit