Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK) ka reaguar lidhur me zjarrin në Deponinë Sanitare të Pejës, në fshatin Sferkë, duke sqaruar se kjo deponi aktualisht nuk është nën menaxhimin e saj.
Në një komunikatë për media, KMDK ka bërë të ditur se deponia menaxhohet nga Kompania Rajonale e Mbeturinave “Ambienti”, ku Komuna e Pejës është aksionari kryesor.
“KMDK ka përcjellë me shqetësim të madh situatën e krijuar si pasojë e zjarrit në Deponinë Sanitare të Pejës, në fshatin Sferkë. Për hir të informimit të drejtë të opinionit publik, sqarojmë se ajo deponi aktualisht nuk është nën menaxhimin e KMDK-së”, thuhet në reagim.
Sipas KMDK-së, përfaqësues të saj kanë vizituar deponinë dhe janë njohur nga afër me gjendjen e krijuar, ndërsa kanë shprehur gatishmërinë për të ofruar mbështetje profesionale dhe teknike për KRM “Ambienti”.
Kompania ka thënë se ndihma është ofruar me qëllim që zjarri të vihet sa më shpejt nën kontroll dhe të shuhet plotësisht, duke theksuar se një mbështetje e tillë është dhënë edhe në të kaluarën.
Në fund, KMDK ka bërë thirrje për angazhim të koordinuar të institucioneve dhe për kujdes në publikimin e informacioneve, me qëllim shmangien e dezinformatave dhe konfuzionit te qytetarët.






