Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj u deklarua i pafajshëm në paraqitjen e tij në Gjykatën Speciale.
“Po. Do të deklarohem”, i tha ai gjykatëses së procedurës paraprake. “Deklarohem plotësisht i pafajshëm”.
Kilaj u arrestua të enjten lidhur me një aktakuzë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Në operacionin e së enjtes u arrestuan edhe ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu, vëllai i dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu.
Ndaj ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, u lëshua një urdhër për paraqitje në gjykatë.
Specialja më 29 nëntor ngriti këtë aktakuzë, e cila u bë publike më 6 dhjetor. Në të, përveç të sipërpërmendurve, akuzohet edhe ish-presidenti Hashim Thaçi, tashmë në paraburgim dhe duke u përballur me aktakuzën e mëparshme për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.