Kryenegociatori Zulfaj kërkon mbështetjen e Bundestagut për avancimin e Kosovës drejt BE-së

- Advertisement -

Në Bundestagun gjerman, kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, z. Jeton Zulfaj, zhvilloi takim me dr. Anton Hofreiterin, kryetarin e Komisionit për Çështjet e Bashkimit Evropian dhe deputetin e Aleancës 90/Të Gjelbrit, zëvendëskryetarin e komisionit dhe deputetin e SPD-së, z. Johannes Schraps dhe z. Peter Beyer, anëtarin e komisionit dhe deputetin e CDU/CSU-së. Z. Zulfaj u shoqërua nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, z. Faruk Ajeti.

Kryenegociatori Zulfaj i falënderoi deputetët për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës, duke theksuar mirënjohjen e popullit të Kosovës për solidaritetin dhe përkrahjen gjermane në momentet vendimtare të historisë sonë – nga çlirimi dhe rindërtimi pas luftës, te rruga drejt pavarësisë, shtetndërtimi dhe zhvillimi ekonomik i vendit.

Në fokus të takimit ishte avancimi i Kosovës në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Z. Zulfaj theksoi se, pothuajse katër vjet pas dorëzimit të aplikimit për anëtarësim në BE, Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon pa statusin e vendit kandidat. Ai kërkoi mbështetjen e Bundestagut që Këshilli i BE-së t’i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e opinionit për aplikimin e Kosovës këtë vjeshtë.

Kryenegociatori nënvizoi se Gjermania ka qenë dhe mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës dhe se zëri i saj ka peshë të veçantë në politikën e zgjerimit të BE-së. Në këtë drejtim, ai kërkoi angazhim proaktiv të parlamentarëve gjermanë, përfshirë përmes kontakteve me homologët e tyre në shtetet e tjera anëtare dhe familjet politike evropiane, për të ndihmuar në avancimin e aplikimit të Kosovës.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për progresin demokratik dhe ekonomik të Kosovës, zbatimin e reformave në kuadër të procesit të integrimit ne BE, si dhe përkushtimin e plotë të Kosovës ndaj vlerave të Bashkimit Evropian dhe harmonizimin e plotë të Republikës së Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.

Kryenegociatori Zulfaj i falënderoi deputetët gjermanë për mundësinë e takimit dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë

Të ngjashme

Të fundit